Arabia Saudite: Lufta në Jemen mund të përfundojë nesër, nëse Huthit pranojnë negociatat
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite thotë se lufta në Jemen mund të përfundojë që nesër, nëse rebelët Huthi pranojnë planin e paqes të mbështetur nga OKB-ja. Megjithatë, Rijadi paralajmëron se do të vazhdojë presionin ushtarak deri në kthimin e tyre në tryezën e negociatave.
Këtë e ka deklaruar zëdhënësi i koalicionit, gjeneralmajor Turki al-Maliki, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters.
Maliki tha se Arabia Saudite ka vendosur një vijë të kuqe për mbrojtjen e Adenit, qytetit port që shërben si kryeqytet i përkohshëm i qeverisë jemenase. Ai paralajmëroi se koalicioni do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për ta mbrojtur qytetin, ndërsa luftëtarët Huthi po afrohen gjithnjë e më shumë drejt tij, raporton Reuters.
Konflikti në Jemen është përshkallëzuar sërish, duke u shndërruar në një nga frontet më të ashpra të luftës më të gjerë me Iranin. Përleshjet kanë shkaktuar mijëra viktima dhe kanë zhvendosur qindra mijëra njerëz, ndërsa Arabia Saudite po përballet me sulme të përsëritura ndaj objektivave të rëndësishme, përfshirë ndërtesa në kryeqytetin Riad.
Sulmet e Huthive ndaj objektivave civile dhe ekonomike, si dhe pengesat në transportin ndërkombëtar detar në Detin e Kuq, po kërcënojnë përpjekjet e Arabisë Saudite për të tërhequr investime të huaja dhe për të organizuar ngjarje të mëdha ndërkombëtare, përfshirë Ekspozitën Botërore 2030.
Mbështetje e vazhdueshme ushtarake
Pavarësisht mundësisë për zgjidhje politike, Arabia Saudite po përgatitet që lufta të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Qeveria jemenase, e mbështetur nga Rijadi, fillimisht synonte të rimerrte me forcë kryeqytetin Sana, i cili kontrollohet nga Huthit. Megjithatë, pas humbjeve në terren, objektivi i saj është zhvendosur në mbrojtjen e Adenit dhe në thyerjen e rrethimit të qytetit Taiz.
“Zgjidhja më e mirë është ajo politike. Por ne duhet ta mbështesim qeverinë jemenase për të arritur objektivat e saj”, tha Maliki.
Ai shtoi se nëse Huthit pranojnë planin e paqes të mbështetur nga OKB-ja dhe nisin negociatat me qeverinë jemenase, lufta mund të përfundojë menjëherë.
Deri atëherë, sipas tij, koalicioni do të vazhdojë presionin ushtarak, duke ofruar mbështetje ajrore 24 orë në ditë për forcat jemenase në terren dhe duke goditur kapacitetet ushtarake të Huthive.
Maliki tha se objektiv i operacioneve janë shkatërrimi i raketave balistike me rreze veprimi në nivel rajonal, sistemet e tyre lëshuese dhe pajisjet për prodhimin e dronëve.
Në anën tjetër, Huthit kërkojnë që Arabia Saudite të ndërpresë mbështetjen për qeverinë jemenase, të heqë kufizimet ndaj porteve ajrore dhe detare dhe të ofrojë kompensim financiar.
Huthit 60 kilometra larg Adenit
Arabia Saudite ndërhyri për herë të parë në Jemen më 2015, në krye të një koalicioni arab, me qëllim rikthimin e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, pasi rebelët Huthi morën kontrollin e kryeqytetit Sana.
Pas vitesh luftimesh, një armëpushim i arritur më 2022 u respektua kryesisht deri në rifillimin e luftimeve në fillim të këtij viti.
Që nga prishja e armëpushimit, Huthit kanë marrë nën kontroll pjesë të rëndësishme të bregdetit të Detit të Kuq, pranë ngushticës Bab al-Mandab, si dhe kanë rrethuar qytetin malor Taiz. Aktualisht, forcat e tyre ndodhen rreth 60 kilometra larg Adenit.
Pavarësisht humbjeve të fundit të qeverisë jemenase, përfshirë tërheqjen e forcave të saj në nëntor nga pozicionet pranë ngushticës Bab al-Mandab për të përforcuar mbrojtjen e Adenit, Maliki përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave tokësore saudite për të ndryshuar rrjedhën e luftës.
“Ata nuk kanë nevojë të sjellin një ushtri tjetër nga jashtë”, tha ai, duke pretenduar se forcat qeveritare jemenase kanë numrin e nevojshëm të ushtarëve, mbështetjen e fiseve dhe kapacitetet ushtarake për të përballuar luftimet.
Maliki bëri të ditur se trupat saudite janë të vendosura përgjatë kufirit jugor të Arabisë Saudite për të parandaluar çdo depërtim të mundshëm të Huthive në territorin e mbretërisë.
“Do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të shkatërruar çdo gjë që i afrohet vijës sonë kufitare”, paralajmëroi ai.
Ai pranoi gjithashtu se në ushtrinë jemenase kanë pasur probleme të koordinimit në terren, duke përmendur dy raste të mangësive gjatë tre muajve të fundit. Sipas tij, koalicioni po punon me ushtrinë jemenase për të përmirësuar koordinimin dhe për të korrigjuar gabimet taktike.















