Deputeti demokrat u godit me plumb gome në protestë, reagon Peleshi: Hetim të shpejtë dhe të paanshëm, përgjegjësit të vendosen para ligjit Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për plagosjen e deputetit demokrat Kliti Hoti, duke e akuzuar atë për relativizimin e ngjarjes dhe shmangien e përgjegjësisë institucionale.
“Neveri dhe indinjatë për reagimin e papërgjegjshëm të Kryetarit të Kuvendit ndaj plagosjes së deputetit Kliti Hoti nga Policia e Shtetit!”, shprehet Bardhi në reagimin e tij.
Kreu i deputetëve demokratë kundërshton cilësimin e ngjarjes si një “incident”, duke pretenduar se deputeti i PD-së është goditur pa asnjë shkak nga Policia e Shtetit, në rrethana që, sipas tij, ngrenë dyshime serioze për një akt të qëllimshëm dhune.
“Deputeti Kliti Hoti nuk ka qenë pjesë e ndonjë incidenti. Ai është goditur pa asnjë shkak nga Policia e Shtetit, në rrethana që ngrenë dyshime serioze për një akt të qëllimshëm dhune, me pasoja potencialisht fatale. Ta quash këtë një incident është përpjekje për të relativizuar rëndësinë e ngjarjes dhe për të shmangur përgjegjësinë. Kjo nuk është një ngjarje e zakonshme dhe nuk mund të trajtohet si e tillë”, deklaron Bardhi.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së akuzon më tej Peleshin se, në vend që të kërkojë transparencë dhe përgjegjësi për veprimet e Policisë së Shtetit, ka vënë në diskutim vetë shkeljen e ligjit.
“Ligji nuk është çështje dëshire. Përballë dhunës policore, detyrimi i çdo institucioni është të kërkojë zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e përgjegjësve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë”, thekson ai.
Bardhi shprehet se Kuvendi nuk mund të shërbejë si strehë për justifikimin e dhunës shtetërore, duke cilësuar të papranueshme heshtjen, relativizimin e ngjarjes dhe shmangien e përgjegjësisë institucionale.
“Përgjegjësia nuk relativizohet. Dhe dhuna e ushtruar nga shteti nuk mund të maskohet pas fjalës ‘incident’”, përfundon Bardhi.
Më herët, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kishte reaguar për plagosjen e deputetit Kliti Hoti gjatë protestës së kësaj të diele në Tiranë, duke i shprehur solidaritetin dhe duke i uruar shërim të shpejtë. Në reagimin e tij, Peleshi e cilësoi ngjarjen si një “incident”, ndërsa kërkoi nga organet kompetente hetimin e rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive në rast se konstatohet shkelje e ligjit.
“Kërkoj nga organet kompetente, një hetim të shpejtë, të paanshëm dhe transparent për rrethanat e këtij incidenti dhe të çdo lëndimi tjetër të sotëm. Nëse ka pasur shkelje, përgjegjësia duhet vendosur sipas ligjit, kushdo qoftë ai që i ka kryer”, deklaroi Peleshi.
Kryetari i Kuvendit theksoi gjithashtu se e drejta e protestës paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe duhet respektuar, ndërsa asnjë formë dhune nuk mund të justifikohet.
Top Channel