Himara në luftë me flakët, evakuohen banorët, digjen disa banesa. Mbi 300 forca në terren (VIDEO)

4 Shtator 2026 | 22:20

Për më shumë se tre orë, Himara është përballur me një situatë të rëndë për shkak të një zjarri të fuqishëm, i cili përfshiu fillimisht ullishtet dhe më pas u përhap drejt zonave të banuara.

Flakët përfshinë disa banesa, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke detyruar banorët e zonave të rrezikuara të largohen nga shtëpitë e tyre. Situata u përkeqësua me shpejtësi për shkak të erës së fortë, e cila favorizoi përhapjen e zjarrit.

Në kushtet e emergjencës, kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, u bëri thirrje banorëve të evakuohen menjëherë nga banesat, bizneset dhe ambientet e rrezikuara, si dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve.

Për përballimin e situatës janë angazhuar rreth 460 efektivë dhe punonjës të strukturave të ndryshme. Në operacion morën pjesë rreth 300 forca, të mbështetura nga automjete zjarrfikëse dhe efektivë të MZSH-së nga Fier, Tiranë, Tepelenë, Himarë, Vlorë, Finiq, Delvinë, Sarandë, Gjirokastër dhe Dropull.

Në mbështetje të tyre u angazhuan edhe 160 forca ushtarake, ndërsa në terren vijuan operacionet për izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e zonave të banuara.

Vetëm pas mesnatës situata nisi të stabilizohej, me flakët që u vunë pjesërisht nën kontroll. Ndërhyrja e forcave në terren bëri të mundur shmangien e përhapjes së mëtejshme të zjarrit drejt banesave.

Megjithatë, ekipet zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin e zonës, me qëllim parandalimin e riaktivizimit të vatrave të zjarrit.

12 Updates
23:45

Pamje dramatike nga Himara, flakët arrijnë lartësinë e hoteleve disa katëshe

Flakët e zjarrit në Himarë kanë marrë përmasa të frikshme mbrëmjen e kësaj të premteje, duke u përhapur me shpejtësi në drejtim të zonave të banuara dhe duke kaluar mbi ndërtesat shumëkatëshe të njësive hoteliere në zonë.

Situata paraqitet tejet shqetësuese, ndërsa era e fortë favorizon përhapjen e flakëve dhe vështirëson ndërhyrjen për vënien nën kontroll të zjarrit.

Deri më tani raportohet se dy banesa janë përfshirë nga flakët, ndërsa dhjetëra të tjera ndodhen nën rrezikun e përhapjes së zjarrit.

🔗 Shpërndaje
23:35

Zjarri në Himarë përhapet me shpejtësi, policia bllokon qarkullimin në bypass

Situata e zjarrit në Himarë është përkeqësuar ndjeshëm mbrëmjen e kësaj të premteje, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi në drejtim të zonave të banuara.

Për shkak të situatës së krijuar, Policia ka bllokuar qarkullimin në bypass-in e Himarës, duke lejuar kalimin vetëm të mjeteve të emergjencës dhe atyre të angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarrit.

🔗 Shpërndaje
23:25

Himara në flakë, drejtuesit e lartë zbresin në terren

Zjarri që ka përfshirë zonën e Himarës vijon të përhapet, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të terrenit të thyer dhe erës së fortë.

Në terren kanë mbërritur drejtues të lartë të strukturave të sigurisë dhe emergjencave. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, dhe Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Alushi, po ndjekin nga afër situatën dhe operacionin për përballimin e zjarrit.

Ndërkohë, pritet edhe mbërritja në terren e Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes, në kushtet kur flakët vijojnë të paraqesin rrezik për zonat e banuara.

🔗 Shpërndaje
23:12

Zjarri në Himarë, turistët mblidhen në breg të detit për t’u larguar nga flakët

Situata e krijuar nga zjarri në Himarë ka shkaktuar shqetësim edhe mes turistëve që ndodhen në zonë.

Për shkak të përhapjes së flakëve dhe afrimit të tyre pranë zonave të banuara, një numër turistësh janë mbledhur në mol, pranë detit, duke u larguar nga zonat e konsideruara të rrezikshme.

Pamjet nga Himara tregojnë qytetarë dhe pushues të grumbulluar pranë bregdetit, ndërsa zjarri vijon të përhapet në zonë.

🔗 Shpërndaje
23:07

Himarë, qytetarët largohen me makina nga zonat e rrezikuara prej zjarrit

Zjarri në Himarë ka detyruar një pjesë të qytetarëve të largohen me automjetet e tyre nga zonat e rrezikuara.

Në rrugë është krijuar trafik i rënduar, ndërsa banorë dhe pushues po përpiqen të largohen sa më shpejt nga zonat ku flakët janë afruar pranë banesave dhe bizneseve.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të evakuohen nga zonat e rrezikuara dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë, zjarrfikësve dhe strukturave të emergjencës.

🔗 Shpërndaje
22:39

Pamje nga zjarri në Himarë, banesë shkrumbohet totalisht nga flakët

Kjo është një nga banesat e përfshira nga zjarri i fuqishëm në Himarë. Banesa është përfshirë e gjitha nga flakët dhe është shkrumbuar plotësisht.

Situata paraqitet e vështirë për zjarrfikësit, të cilët vijojnë të jenë në terren, duke punuar për shuarjen dhe izolimin e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.

Ndërkohë, banorët bëjnë apel për ndihmë, ndërsa flakët po u afrohen shtëpive të tjera në qytet.

🔗 Shpërndaje
22:25

Kryebashkiaku i Himarës thirrje banorëve: Largohuni nga banesat, ka rrezik për jetën nga zjarri

Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, ka dalë me një thirrje urgjente për qytetarët për shkak të përkeqësimit të menjëhershëm të zjarreve në zona të banuara.

Përmes një njoftimi zyrtar, Tavo u bën thirrje banorëve të evakuohen menjëherë nga shtëpitë, bizneset apo ambientet e rrezikuara për të mbrojtur jetën e tyre, si dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të kontaktojnë me shërbimet e emergjencës.

🔗 Shpërndaje
21:37

Përkeqësohet situata e zjarrit në Himarë, digjet një banesë, rrezikojnë të tjerat përreth

Është përkeqësuar situata e zjarrit në Himarë. Për pasojë, një banesë raportohet të jetë e djegur, ndërkohë rrezikojnë dhe të tjera pranë.

Flakët kanë marrë përmasa të konsiderueshme dhe po përhapen me shpejtësi, për shkak edhe të favorizimit nga era e fortë që fryn në zonë.

Situata mbetet shqetësuese, ndërsa në drejtim të Himarës është nisur një zjarrfikëse e Vlorës pas kërkesës për ndihmë nga kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo.

🔗 Shpërndaje
21:12

Zjarr i përmasave të mëdha në Himarë, flakët përhapen me shpejtësi të favorizuara nga era

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë mbrëmjen e kësaj të premte pranë bypass-it të qytetit të Himarës.

Flakët kanë marrë përmasa të konsiderueshme dhe po përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga era e fortë që fryn në zonë.

Në zonën ku ka rënë zjarri ndodhen edhe banesa, duke rritur shqetësimin për përhapjen e flakëve pranë zonave të banuara.

Situata mbetet shqetësuese, ndërsa pritet ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për të bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve.

🔗 Shpërndaje
00:58

Tjetër zjarrfikëse nga Vlora niset drejt Himarës

Një tjetër zjarrfikëse nga Vlora është nisur drejt Himarës për t’iu bashkuar forcave të angazhuara në shuarjen e zjarrit.

Forcat zjarrfikëse po përforcohen në terren, ndërsa situata mbetet e vështirë për shkak të përhapjes së flakëve në disa zona.

🔗 Shpërndaje
00:29

Situata në Himarë drejt stabilizimit, nuk ka më rrezik për banesat

Situata e zjarrit në Himarë është duke shkuar drejt stabilizimit, ndërsa sipas informacionit të fundit nga Prefektura e Vlorës, aktualisht nuk paraqitet më rrezik për banesat.

Forcat e angazhuara në terren vijojnë operacionin për vënien nën kontroll të plotë të flakëve dhe izolimin e vatrave të mbetura aktive.

Ndërhyrja po vijon me qëllim parandalimin e riaktivizimit dhe përhapjes së zjarrit në zona të tjera.

Autoritetet po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa ekipet zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave mbeten në gatishmëri në terren.

🔗 Shpërndaje
00:18

Flakët “pushtojnë” Himarën, shkrumbohen qindra ullinj

Zjarri që ka përfshirë zonën e Himarës ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndërsa raportohet se janë djegur qindra rrënjë ullinj.

Situata vijon të paraqitet e vështirë për forcat zjarrfikëse, pasi flakët kanë përfshirë territore të thepisura dhe me akses të kufizuar. Për shkak të terrenit të vështirë, mjetet zjarrfikëse nuk mund të depërtojnë në disa prej zonave ku vijon të jetë aktive vatra e zjarrit.

Forcat e angazhuara në terren po vijojnë përpjekjet për izolimin e flakëve dhe frenimin e përhapjes së tyre, me synim shmangien e rrezikimit të zonave të banuara dhe strukturave turistike.

Ndërkohë, situata mbetet dinamike, ndërsa era e fortë vijon të favorizojë përhapjen e zjarrit në zona të tjera.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Unioni i Gazetarëve Shqiptar reagon për mbylljen e Instagramit të Euronews Albania: META të jap sqarime

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar lidhur me problemet e aksesit në Instagram për faqen zyrtare të Euronews Albania, duke e cilësuar situatën si një...
13:44 | 05/09/2026

AEJ dënon mbylljen e Instagramit të Euronews Albania: Kompania Meta të rikthejë faqen, të japë një shpjegim zyrtar për arsyet e mbylljes

Shoqata e Gazetarëve Europianë, seksioni shqiptar (AEJ), ka dënuar mbylljen e faqes së Instagramit të Euronews Albania nga kompania Meta, duke e cilësuar vendimin si...
13:27 | 05/09/2026

AGSH reagon për Instagramin e Euronews Albania: Kërkohet transparencë për mbylljen e llogarive shqiptare

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar pas bllokimit të aksesit në faqen zyrtare të Euronews Albania në Instagram, duke shprehur shqetësim për situatën...
13:03 | 05/09/2026