Rigjykimi i të akuzuarve në rastin “53 Milionëshi” arrin në fazën përfundimtare, pritet vendimi i gjykatës

Në Gjykatën e Prishtinës, sot më 04.09.2026, në bankën e të akuzuarve janë ulur sërish: ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ish-këshilltari i tij politik, Eset Berisha, Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Nebih Shatri, dhe Besim Tahiri, U.D. Drejtor i Prokurimit.

Me të filluar seanca, trupi gjykues e ka adresuar propozimin e mbrojtjes së të pandehurit, Eset Berisha, për administrim si provë materiale – procesverbalin e datës 01.06.2018.

I pyetur nga trupi gjykues për qëndrimin lidhur me këtë propozim, prokurori Admir Shala tha se në parim nuk e kundërshtojnë si provë, por vlerësojnë se nuk i rrëzon pretendimet e aktakuzës dhe as nuk e ndryshon gjendjen faktike të administruar deri tani.

Prokuroria me këtë rast i propozoi Gjykatës që këtë proceverbal ta vlerësoj në ndërlidhje me kohën e përpilimit, përmbajtjen, dhe në raport me provat tjera të administruara gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor.

Lidhur me propozimin për administrim të procesverbalit si provë materiale, trupi gjykues mori aktvendim për aprovimin e tij, dhe tha se si provë procesverbali do të vlerësohet nga Gjykata.

Rreth konstatimit të mbrojtjes së katër të pandehurve, ai ka mbetur i pandryshuar si në seancën e fundit.

Të pandehurit qëndrojnë pas mbrojtjes së dhënë në fazat e mëhershme të kësaj çështjeje penale, dhe shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore për t’u mbrojtur në heshtje.

Seanca më pas ka vazhduar me fjalët përfundimtare të palëve në procedurë.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori Admir Shala tha se Prokuroria mbetet në tërësi pranë aktakuzës, edhe pas kthimit të rastit për rivendosje.

Prokuroria pretendon se marrëveshja për zgjatjen e afatit të punimeve u nënshkrua pa pranimin paraprak të Komitetit Drejtues Ndërministror, dhe pa ndjekjen e mekanizmave të paraparë për menaxhimin e projektit.

Sipas Prokurorisë, shuma e pranuar prej 53 milionë eurove nuk ka pasur as bazë financiare e as bazë kontraktuale.

Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë qenë të vetëdijshëm për rolet e tyre në këtë çështje.

Përfundimisht, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurit të shpallet fajtorë dhe t’u shqiptohet dënimi në proporcion me peshën e veprës penale që u ngarkohet.

Prokuroria ka kërkuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratë publike apo në shërbim civil.

Mbrojtja e të pandehurit Pal Lekaj u fokusua në faktin se në veprimet e të pandehurit nuk ekziston elementi i kundërligjmërisë, dhe se, poashtu mungon qëllimi specifik që kompania Bechtel – ENKA të përfitojë. Sipas mbrojtjes, thjesht mungon lidhja kauzale mes veprimit të pretenduar nga Prokuroria dhe pasojës së shkaktuar.

Mbrojtja ka argumentuar se çdo ministër në përshkrim të detyrave të punës në bazë të Ligjit për Administratë Shtetërore, obligim kryesor e ka zbatimin e vendimeve të Qeverisë, dhe pikërisht këtë e ka bërë Pal Lekaj.

Ka qenë vendimi i Qeverisë pra, sipas mbrojtjes, që e ka detyruar Pal Lekaj për nënshkrimin e marrëveshjes së 5 shtatorit 2018.

Sipas avokatit Qerkini nuk ka qenë qëllimi i të mbrojturit të tij, Pal Lekaj, që të përfitojë kompania Bechtel – ENKA, por qëllimi ka qenë zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Tutje Qerkini e ka kritikuar edhe ekspertin që e ka bërë ekspertizën financiare për rastin duke konsideruar se ai i ka tejkaluar kompetencat dhe se 80% e ekspertizës së tij kalon në fakt në ekspertizë ndërtimtarie e jo financiare që i takon atij.

Përfundimisht në raport me të mbrojturin e tij, Pal Lekaj, Qerkini ka konsideruar se nuk janë përmbushur asnjë nga elementet e veprës penale, andaj sipas tij, Lekaj duhet të shpallet i pafajshëm.

Pal Lekaj e ka mbështetur në tërësi atë çka u tha nga mbrojtësi i tij dhe nuk ka shtuar asgjë më shumë.

Fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe mbrojtja e të pandehurit, Nebih Shatri

Mbrojtja e këtij të pandehuri ka thënë para trupit gjykues se e përkrahin në tërësi atë çfarë ka thënë avokati Qerkini sa i përket ekspertizës së ekspertit financiar.

Tutje, lidhur me deklarimet nga ana e Prokurorisë, në seancën e kaluar rreth provave të propozuara nga avokati Urim Vokshi, se ato nuk e kontestojnë faktin se ka qenë e nevojshme zgjatja e afatit të përfundimit të punimeve, por kontestues është fakti se si është vlerësuar çështja e kompensimit për këtë rast, mbrojtja deklaroi se nuk ekziston asnjë lidhje as juridike e aq më pak logjike e njerëzore mes të pandehurit Shatri dhe llogaritjes së kostos ndaj kompanisë Bechtel – ENKA.

Mbrojtja i ka dhënë vëmendje faktit se në shqyrtimin e mëparshëm të kësaj çështje penale, dëshmitari Lutfi Zharku ka thënë para Gjykatës se nuk ka zgjatje të afatit të kontratës pa u përcaktuar kosto.

Mbrojtja ka argumentuar se në emailin e dëshmitarit Zharku, të datës 19.04.2017, drejtuar Avdullah Hotit, Hykmete Bajramit e të tjerëve, ai i ka njoftuar ata për konfirmimin e shtyrjes së afatit të punimeve nga Bechtel – ENKA. Në dokumentin bashkëngjitur këtij komunikimi thuhej se të gjitha çështjet komerciale do të trajtoheshin më vonë.

Tutje mbrojtja ka argumentuar se i njëjti dëshmitarë, drejtuar personave të njëjtë të lartcekur, me datën 15.08.2016, i ka njoftuar se ndarjet buxhetore nuk janë në përputhje me kërkesat e Bechtel – ENKA, sepse vetëm në vitin 2016 ka pasur mungesë prej 217 milionë eurove, të cilat më pas, në rishikim do mbetnin 177 milionë euro mungesë.

Mbrojtja tutje i ka dhënë vëmendje edhe faktit se për çështjen në fjalë ka dëshmuar edhe Avdi Kamerolli, atëkohë drejtor i Departamentit ligjor.

Mbrojtja tha se në tri deklaratat e Kamerollit, në Polici, në Prokurori, dhe gjatë shqyrtimit të kaluar ka thënë se vazhdimi i kontratës së datës 22.09.2017 ishte në përputhshmëri të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik si dhe me kontratën me operatorët.

Mbrojtja tha para trupit gjykues se si është e mundur që nëse nga të gjithë këta akterë nuk është mundur të gjendet një shkelje ligjore për zgjatjen e afatit pa kosto shtesë, si është e mundur që kjo vepër penale t’i ngarkohet Shatrit kur ky nuk ka vendosur se sa para duhej të paguheshin.

“E kanë gjet Nehbiun, hajde se ti e ke nënshkru vazhdimin pa kosto” – tha mbrojtja para trupit gjykues.

“Lusim me e liru Nehbiun prej këtij cirkuzllëku të Prokurorisë, se nuk ka asnjë provë” – e përfundoi fjalën e tij mbrojtja e të pandehurit Shatri.

Krahas mbrojtjes së tij, para trupit gjykues shtoi disa fjalë edhe vet i pandehuri Nehbi Shatri.

Shatri tha se procesi i ndërtimit të autoudhës ka qenë proces i ndërlikuar që ka zgjat prej vitit 2012 deri në vitin 2019.

Gjatë kësaj periudhe në Ministri janë ndërruar 5 ministra dhe 7 Sekretarë të Përgjithshëm.

Shatri tha se ai e ka marrë titullin si U.D. i Sekretarit në shkurt të vitit 2017 dhe e ka përfunduar atë në nëntor të vitit 2018.

Shatri tha se ai e ka trashëguar një problem që në atë moment është dashur me i bë zgjidhje, sepse në anën e kundërt Bechtel – ENKA nuk do kishte përfunduar punimet.

Zgjatja e afatit për përfundimin e punimeve sipas Shatrit është në përputhje me kontratën. Shatri tha se edhe sipas ekspertit të KRPP-së, në dëshminë e tij ka thënë se në momentin që nënshkruhet kontrata ajo është bazë dhe Ligji i Prokurimit bie poshtë.

Shatri e ka përfunduar duke thënë se duke mos i ndërprerë punimet dhe duke u përfunduar rruga ai ka kontribuar për vendin.

“Qëllimi i lidhjes së marrëveshjes ka qenë mos e mu ndërpre punimet. Kurgjo nuk kemi vepru diçka jashtë kontratës, edhe vendimi për pagesë është i Qeverisë, jo i yni. Unë jam plotësisht i pafajshëmt” – përfundoi Shatri para turpit gjykues

Me fjalën përfundimtare më pas ka vazhduar edhe mbrojtja e të pandehurit Iset Berisha, avokati Afrim Salihu.

Sipas avokatit Salihu, i mbrojturi i tij, në raport me marrëveshjen për zgjatjen e afatit për kryerjen e punimeve nuk kishte autoritet kontraktues, nuk ishte person që dispononte me buxhetin, nuk ishte person që autorizonte pagesat, dhe nuk ishte organ i Qeverisë.

Mbrojtja ka argumentuar se marrëveshja 53 milionëshe nuk ka lindur si pasojë e ndonjë veprimi të Iset Berishës apo kur ai e ka marrë detyrën.

Mbrojtja tutje ka argumentuar se i gjithë zinxhiri institucional në këtë proces, si Qeveria, Ministria, Autoriteti Mbikëqyrës, nuk mund të reduktohet vetëm me një fjali “Pal Lekaj e Iset Berisha”, sepse më pas do duhej të cilësoheshin veprime konkrete që ata i kanë kryer.

Sipas mbrojtjes, nga provat është vërtetuar se në raport me objektin e aktakuzës nuk ka ndonjë vendim të Iset Berishës, nuk ka ndonjë nënshkrim të tij që e obligon shtetin, nuk ka urdhër financiar të tij, nuk ka përfitim financiar, nuk ka interes ekonomik të përfitimit, nuk ka lidhje shkakore dhe nuk ekziston elementi kryesor i dashjes direkte.

Përfundimisht mbrojtja ka kërkuar aktgjykim lirues ndaj të pandehurit Iset Berisha.

Avokati mbrojtës i të pandehurit Berisha, Afrim Salihu të gjithë përgjegjësinë për përpilimin e opinionit juridik, që më pas ka kaluar në Zyrën e Kryeministrit, akt me të cilin është miratuar kosto prej 52 milionë euro ia ka atribuuar Avdi Kamerollit, asokohe Udhëheqës i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës.

Mbrojtja ka kërkuar të di se pse pikërisht Kamerolli nuk është i akuzuar në këtë rast.

Krahas mbrojtjes së tij, edhe Iset Berisha tha disa fjalë para trupit gjykues.

Ai tha se fatkeqësisht – edhe pas plotësimit të saj –  aktakuza i ngjan një shpjegimi të një teorie konspirative sesa një akti të bazuar në prova.

Berisha tha se aktakuza e ka paraqitur ngjarjen kinse ka ndodhur nga një ministër, një sekretar, një drejtor departamenti dhe një këshilltar politik, me qëllim për t’i dhënë operatorit ekonomik Bechtel – ENKA shumën prej 53 milion eurove, por ka anashkaluar faktin se vendimi për pagesën në shumën prej 53 milion eurove e ka marr Qeveria, dhe se të gjitha veprimet deri në marrëveshjen e shtatorit të vitit 2018 e kanë kaluar filtrin e ligjshmërisë – duke filluar nga Zyra e Kryeministrit, Komitetit Ndërministror, deri tek Zyra e Prokurimit e ajo e Financave.

Edhe Berisha përgjegjësinë për marrëveshjen për zgjatjen e afatit për kryerjen e punimeve ia ka atribuuar Avdi Kamerollit.

Berisha ka kërkuar që Prokuroria të jep përgjigje se si është e mundur që për një kontratë të nënshkruar nga tre persona si ajo e datës 5 shtator 2018, dy nënshkrues të akuzohet e i treti jo?

Berisha tha se asnjëri nga të akuzuarit nuk është përgjegjës për pagesën prej 53 milionë eurove.

Sipas tij kjo u konstatua edhe nga ekspertiza financiare në rigjykim në të cilën janë listuar veprimet të cilat e kanë iniciuar problemin, veprimet nga ish Qeveria Mustafa, si dhe veprimet e ndërmarra nga Qeveria Haradinaj gjatë viteve 2017/18. Sipas Berishës në të gjithë këto veprime nuk mund të gjendet asnjë veprim apo mosveprim i të pandehurve.

Përfundimisht Berisha e ka mbështetur fjalën e mbrojtjës së tij dhe ka kërkuar nga Gjykata që të lirohet nga të gjitha akuzat.

Me fjalën përfundimtare ka vazhduar edhe mbrojtja e të pandehurit Besim Tahirit, avokati Urim Vokshi.

Fillimisht, ai e ka adresuar para trupit gjykues vendimin për zgjatjen e afatit të hetimeve nga ana e Prokurorisë, duke pretenduar se nuk e përfshin të mbrojturin e tij.

Vokshi e ka ftuar trupin gjykues ta merr parasysh këtë çështje në raport me të mbrojturin e tij pasi është ngritur si pikë edhe nga kolegji i Gjykatës së shkallës së dytë, me rikthimin e rastit për rivendosje.

Rreth veprimeve të të mbrojturit të tij të pasqyruara në gjendjen faktike në aktakuzë, ku thuhet si Tahiri ka vepruar në kundërshtim me opinionin e kompanisë mbikqyrëse HIll Internationa të dhjetorit 2017, Vokshi ka theksuar para trupit gjykues se Tahiri ka qenë në pozitën e Drejtorit të Departamentit për Prokurim deri në tetor të vitit 2017, pra ai nuk ka mundur të veproj kundër një opinioni të pa dale akoma.

Tutje, Vokshi ka argumentuar se i mbrojturi i tij akuzohet se edhe ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim, por në fakt super-ekspertiza që Prokuroria e konsideron si provë me rëndësi të posaçme thotë se bazë juridike është vetëm teksti i kontratës, pra nuk është i aplikueshëm as Ligji për Prokurim e as ndonjë ligj tjetër.

Përfundimisht edhe Vokshi ka kërkuar nga Gjykata lirimin e të mbrojturit të tij.

I pandehuri Besim Tahiri e ka mbështetur në tërësi fjalën e mbrojtjes së tij dhe nuk ka shtuar asgjë më shumë për trupin gjykues.

Krejt në fund Prokuroria e ka kundërshtuar pretendimin e Vokshit për zgjerimin e hetimit duke hënë se është e drejt e Prokurorisë të kërkoj zgjerimin e hetimeve në cilëndo fazë deri sa nga provat konstatohet dyshimi për një të pandehur tjetër.

Ky shqyrtim gjyqësor me seancën e sotme është shpallur e mbyllur dhe shpallja e aktghykimit pritet të bëhet ditët në vijim

Në rigjykim kjo cështje penale u gjykua nga trupi gjykues në përbërje të Violeta Namani Hajra kryetare, dhe Donikë Shala Avdyli dhe Rrahman Beqiri, anëtarë.

Aktakuza

Prokuroria Speciale, më 4 shkurt 2022, kishte ngritur Aktakuzën për ish-ministrin e Infrastrukturës Pal Lekajn, këshilltarin e tij politik Eset Berishën dhe sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin – lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për Kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.

Sipas Aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, më 29 shtator 2017.

Sipas Prokurorisë, keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar Marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera, për autostradën “Arbën Xhaferi”, apo e njohur si R6.

Përfundimi i autostradës me Kontratën bazë, e cila ishte lidhur në vitin 2014, parashihej të përfundonte me 18 janar 2018, kurse me Marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, Kontrata tashmë do të përfundonte në fund të muajit dhjetor 2018.

Kjo Marrëveshje – sipas Prokurorisë – nga të pandehurit ishte lidhur pa kostot financiare, që ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror. Duke mos përcaktuar koston në Marrëveshje, Prokuroria thotë që të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur Kompanisë “Bechtel & Enka”, që të paraqesë Kërkesë për pagesë.

Tutje, Aktakuza thotë se Pal Lekaj kishte angazhuar këshilltarin e tij politik, Eset Berishën që të merret me negociatat me Kompaninë “Bechtel & Enka”, për ta caktuar vlerën e Marrëveshjes, të cilën e kishin lënë të hapur. Sipas pretendimeve të organit të akuzës, Pal Lekaj këtë veprim e ka bërë pa pasur pëlqimin e Komitetit Drejtues Ndërministror.

Kjo Kërkesë, në vlerë prej 63 milionë euro, ishte paraqitur më 27 nëntor 2017. Pastaj, sipas Prokurorisë ishte zbritur në vlerë prej 53 milionë eurosh, pas bisedimeve që kishte zhvilluar Berisha me kompaninë ndërtuese. Me rekomandim të Komitetit Drejtues Ndërministror, Qeveria e Kosovës e kishte aprovuar Kërkesën në qershor 2018.