Dështimi për "presidentin konsensual": Veliu i bën thirrje Abdixhikut t’i ndalë sulmet ndaj 6 deputetëve
Agim Veliu, ish-deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar rreth zhvillimeve brenda kësaj partie, të cilat janë krijuar pas refuzimit të gjashtë deputetëve të LDK-së për ta mbështetur kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Kjo kandidaturë kishte dalë nga marrëveshja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Përmes një postimi në Facebook, Veliu ka hedhur dyshime se kandidatura e Sejdiut për president konsensual është larje e borxhit politik, duke i kërkuar Abdixhikut të ndalë sulmet ndaj 6 deputetëve.
“Kandidat ‘konsensual’. Kështu po quhet tani Bekim Sejdiu, si të ishte zbuluar papritur në tryezën e përbashkët të Kurtit, Abdixhikut e Vjosa Osmanit. Por, sipas rrëfimit të tyre (treshes), duket se konsensusi ka nisur shumë më herët… Madje qysh atëherë kur vendimet e tij (Sejdiut) në Gjykatën Kushtetuese i leverdisnin politikisht VV-së dhe i kushtonin LDK-së. Sot po mundohen ta shesin si zgjidhje konsensuale për President. E dje, sipas kësaj logjike, paska qenë investim politik”- ka shkruar ai.
Sipas tij, dikush që dikur ishte i dobishëm për një palë, sot na paraqitet si i pranueshëm për të gjithë.
“Në politikën tonë kosovare, me sa duket, edhe borxhet politike paguhen me poste shtetërore. Kësaj radhe hiq më pak se me post Presidenti! Në krejt këtë histori interesash të treshes, Abdixhiku duhet t’i ndalë sulmet ndaj gjashtë deputetëve. Ata nuk janë problemi. Problemi është lidershipi yt që nuk pranon kundërshtim dhe kërkon vetëm bindje. Nëse gjashtë deputetë thanë “JO”, ti duhet ta pyesësh veten PSE, para se t’i fajësosh. LDK-ja nuk është pronë e askujt. As demokracia nuk është urdhër”- ka shkruar Veliu në Facebook.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, një ditë më herët ka thënë se marrëveshja politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë goditje të rëndë.
Pavarësisht kësaj, ai konsideron se kjo marrëveshje nuk është zhvlerësuar.
“Ata që e duan stabilitetin institucional, evitimin e zgjedhjeve, forcimin e shtetit, e kanë shansin, e kjo është emri i përveçshëm që ka dalë nga marrëveshja politike, përkatësisht profesor Bekim Sejdiu”- ka thënë Kurti për Ekonomia Online.
Ky takim u zhvillua pas një takimi që e kishte zhvilluar paraprakisht me Lumir Abdixhikun e LDK-së.
Abdixhiku pas takimit me Kurtin më 02.09.2026, deklaroi se do të përpiqen të kenë takime me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Njoftim i rregullt pas zhvillimeve në dy partitë. Siç e do rendi, kur kemi procese diskutuese duhet të njoftojmë edhe zyrtarisht njëri-tjetrin për zhvillimet partiake. E njoftova z. Kurti për atë që ka ndodhur dje dhe ai më njoftoi për zhvillimet në kryesinë e tij dhe në grupin parlamentar.” – ka thënë Abdixhiku.
Kur u pyet se çka pritet pas këtij takimi, Abdixhiku tha se duhet të pyeten “ata që kanë vendosur ta dërgojnë Kosovën në një fazë të paqartë”.
“Beteja politike për Qeverinë duhet të bëhet për Qeverinë. Në Kuvendin e Kosovës çështja e presidentit duhet ta zgjedhim një president se kështu duhet të sillemi normalisht… Me aq sa po shoh, me pozicionet e bëra publike ne po krijojmë një situatë të pamundësisë për llogaritje për të dalë nga kjo.” – shtoi ai.
LVV dhe LDK kishin arritur një marrëveshje më 31.08.2026 për të zgjedhur Bekim Sejdiun si president të vendit.
Kryetari i LDK-së më 01.09.2026 njoftoi se gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk do ta respektojnë vendimin e Kryesisë së partisë për marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje për votimin e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Kosova vazhdon të mbetet në një krizë të thellë institucionale, me Kuvendin ende të pakonstituuar dhe pa një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të Republikës.
Derisa në LDK po vazhdojnë problemet e brendshme, LVV po qëndron në një amulli e në anën tjetër Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca po vazhdojnë që gati katër javë, aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar thirrjen e menjëhershme të seancës konstituive të Kuvendit.
Seanca konstituive e legjislaturës së 11-të ka filluar më 06.08.2026 e më pas ka vazhduar edhe më 08.08.2026 për të mos vazhduar më.
PDK në vazhdimësi i ka dërguar letra edhe kryesuesit të seancës konstituive Avni Dehari për të vazhduar seancën por ai ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë pa pasur një marrëveshje politike mes partive për zgjidhjen e çështjes së presidentit.
Tek sot, Dehari ka vendosur që seancën ta thërras për 9 shtator.
Në aktgjykimin e 26.06.2025, gjykata kishte përcaktuar se procedura e konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e organeve të tij drejtuese.