Foto: KALLXO.com

Kurti kritikon Serbinë për nderimet që po ia bën trupit të pajetë të kriminelit të luftës Ratko Mlladiq

Qeveria e Kosovës ka shpërndarë një video të kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka reaguar për pritjet me nderime shtetërore që i janë bërë në Beograd trupit të pajetë të ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-1995.

“Ekziston një paradoks i madh te fqinji ynë verior. Trupi i pajetë i kriminelit Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, po pritet me nderime të larta shtetërore nga ish-ministri i Millosheviqit, tash president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nga protagonisti i gjuetisë me njerëz në Sarajevën e rrethuar në Bosnje, tash i njohur si ‘Sarajevo Safari’, Aleksandar Vuçiq me nderime të larta shtetërore pret kryerësin e krimit në Bosnjë, Ratko Mladiq, tash i ndjerë pasi që vdiq në burg në Hagë”, ka deklaruar Kurti.

Ai përkujtoj se vetëm një javë pas Masakrës së Srebrenicës, Mlladiq kishte thënë se për një serb të vrarë do të vriten 100 myslimanë boshnjakë.

Sipas tij, kur një shoqëri nderon publikisht një të dënuar për gjenocid, është e vështirë të flitet për përballje me të kaluar, pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime’’.

Këto deklarata Kurti i bëri gjatë tryezës shkencore: “Memorandumi i Sanu: Roli i diskursit akademik serb në nxitjen e konflikteve dhe dhunës në ish-Jugosllavi”, të organizuar të premten, më 04.09.20026, nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri”.

Edhe Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Europës, Michael O’Flaherty, ka dënuar glorifikimin publik të Ratko Mlladiqit, duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe fyes për viktimat.

O’Flaherty ka thënë se glorifikimi i Mlladiqit, i cili ishte dënuar për gjenocidin e Srebrenicës dhe krime kundër njerëzimit, përbën vepër penale sipas ligjit të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe nuk mbrohet si liri e shprehjes nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“E urrej glorifikimin publik të Ratko Mlladiqit, një krimineli të vdekur lufte, i dënuar për gjenocidin e Srebrenicës dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë deklaratat e zyrtarëve në entitetin e Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Serbi”- ka deklaruar O’Flaherty.

Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerim, Marta Kos, ka vendosur ta anulojë vizitën e planifikuar në Serbi, pas kthimit të trupit të ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-1995, në Beograd dhe glorifikimit të tij.

Kos ka rikujtuar se Mlladiq ishte dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

“Kthimi i mbetjeve të tij në Beograd i rikujton Europës faqet më të errëta të historisë sonë të kohëve të fundit”- ka thënë Kos.

Sipas saj, glorifikimi i Mlladiqit pas vdekjes është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

Trupi i pajetë i Mlladiqit u kthye më 03.09.2026 në Beograd me një aeroplan të Qeverisë së Serbisë. Ai pritet të varroset më 07.09.2026në varrezat Topçider.

Mlladiq ishte dënuar për një akuzë për gjenocid, për pesë akuza për krime kudër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi (ICTY) në Hagë më 2017 – mbi 20 vjet pasi ndaj tij ishte ngritur aktakuzë.

I njohur si “Kasapi i Bosnjës”, gjykata e gjeti Mlladiqin fajtor për urdhërimin e masakrimit të më shumë se 7.000 burrave dhe djemve në Srebrenicë më 1995 – mizoria më e madhe e kryer në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Që nga vendimi i Tribunalit në Hagë, numri i viktimave nga gjenocidi në Srebrenicë është rritur në mbi 8.000.