Gjykimi për fajde, detyrim dhe mashtrim shtyhet për shkak të gjendjes shëndetësore të prokurores

Në Gjykatën Themelore në Prizren është shtyrë gjykimi ndaj të akuzuarve: Naser Koqinaj, Ihsan Fetahaj, Arlinda Krasniqi dhe Kujtim Gjilani, për shkak të gjendjes shëndetësore të prokurores, Ervehe Gashi.

Sipas aktakuzës, Naser Koqinaj dyshohet për veprat penale – fajde, detyrim, dhënie e ryshfetit, dhe mashtrim; Ihsan Fetahaj dyshohet se në cilësinë e zyrtarit policor ka kryer veprën penale – marrja e ryshfetit; Arlinda Krasniqi ngarkohet me veprën penale – mashtrimi; ndërsa Kujtim Gjilani dyshohet se në cilësinë e zyrtarit policor ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në fillim të seancës, prokurorja Gashi ka njoftuar trupin gjykues se, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, nuk është në gjendje të marrë pjesë në vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.

Avokati Nazmi Mustafi ka kërkuar që në seancën e radhës, nëse ekzistojnë kushtet, të vazhdohet me deklaratat e dëshmitarëve dhe veçanërisht me leximin e deklaratave të të dëmtuarave.

Ai ka theksuar se shqyrtimi gjyqësor është duke zgjatur për një periudhë të gjatë dhe se është e nevojshme që procedura të vazhdojë në mënyrë që çështja të mos zvarritet më tej.

Çka thuhet në aktakuzë?

Sipas aktakuzës të datës 21.12.2022, Prokuroria e akuzon Naser Koqinajn se nga marsi i vitit 2018 e deri në arrestimin e tij, e ka ndihmuar të dëmtuarin Mirsad Badalli që t’ia largojë kanosjet e fajdexhinjve, si B.P., si dhe e ka ndihmuar për të kontaktuar me zyrtarët policorë të Krimeve Ekonomike, pikërisht të pandehurin e dytë, Ihsan Fetahaj, i cili e ka në punë lëndën ku është i dëmtuar  Koqinaj.

Pasi të njëjtit fajdexhinj janë proceduar në procedurë penale, ai ka kërkuar nga i dëmtuari shumën prej 6 mijë eurove, si dhe ka kërkuar të autorizojë në llogarinë e tij bankare muaj për muaj mjete, me ç’rast e ka dëmtuar atë në shumën prej 63 mijë e 888 euro e 40 centë.

Me këtë ai ngarkohet se ka kryer veprën penale – fajdeja.

Koqinaj dyshohet po ashtu se e ka detyruar të dëmtuarin Badalli të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke e kanosur se do ta vrasë. Në dosja thuhet se ai e ‘merrte atë për krahu, e fuste në automjetin e tij dhe e dërgonte në ndonjë nga bankomatet’ dhe e detyronte të tërhiqte para dhe t’ia dorëzonte  atij,

Prokuroria pretendon se Koqinaj i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 83 mijë e 500 euro.

Me këto veprime, Koqinaj ngarkohet se ka kryer veprën penale – detyrimi.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Ihsan Fetahaj akuzohet se, nga 12 deri më 26 korrik 2019, në cilësinë e personit zyrtar – hetues në Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, ka pranuar nga i pandehuri Naser Koqinaj dhuratë në formën e dy veturave, një veturë të llojit “VW Touran” dhe një veturë të llojit “VW Golf”. Këto vetura janë marrë përmes kontratave të lizingut financiar, të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari Mirsad Badalli, ndërsa vlera e tyre, së bashku me interesin dhe pjesëmarrjen totale, arrin shumën prej 20 mijë e 109 euro e 89 centë.

Për këto veprime, Fetahaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 i KPRK-së.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Kujtim Gjilani akuzohet se më 9 gusht 2020, në Pikëkalimin Kufitar të Vërmicës, në cilësinë e personit zyrtar – polic në pikën kufitare të Vërmicës, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që, pas marrëveshjes me të pandehurin Naser Koqinaj, i ka mundësuar drejtuesit të automjetit të markës “Peugeot” kalimin e kufirit, ndonëse ishte në dijeni se i njëjti nuk posedonte dokumentacion valid, përkatësisht autorizim për drejtimin e automjetit me targa të shtetit gjerman brenda dhe jashtë shtetit.

Në të njëjtën mënyrë, sipas aktakuzës, Gjilani ka vepruar edhe më 17 dhe 30 gusht 2020, si dhe më 16 tetor 2020, me ç’rast drejtuesit të automjetit i ka sjellë dobi në formën e qarkullimit me automjet në kundërshtim me Ligjin  për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe Ligjin për Automjetet.

Për këto veprime, Gjilani akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 i KPRK-së.

Sipas dispozitivit të katërt të aktakuzës, Arlinda Krasniqi dhe Naser Koqinaj akuzohen se, nga 29 gushti 2020 deri më 9 dhjetor 2020, në Prizren, në bashkëveprim, e kanë mashtruar të dëmtuarin Mirsad Badalli. Fillimisht, sipas aktakuzës, i pandehuri Koqinaj është marrë vesh me të pandehurën Krasniqi që kjo e fundit të krijojë lidhje dashurie me të dëmtuarin Badalli dhe më pas t’i kërkojë atij që t’i japë autorizim Arlinda Krasniqit.

Pas autorizimit nga i dëmtuari Mirsad Badalli, sipas aktakuzës, e pandehura Arlinda Krasniqi, nga xhirollogaria e të dëmtuarit, ka transferuar shumën prej 4 mijë e 395 eurosh, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në të njëjtën vlerë.