Pas 27 vitesh, Trepça rikthen pronën që e shfrytëzonte ish-Banka Komerciale në Zveçan - VIDEO

Pas 27 vitesh, Ndërmarrja Publike “Trepça” ka rikthyer në posedim dhe administrim një objekt në Zveçan, i cili ishte për shumë kohë ishte shfrytëzuar nga ish-Banka Komerciale.

Sipas njoftimit të “Trepçës”, më 12.08.2026, ndërmarrja kishte kërkuar lirimin e hapësirës dhe paraqitjen e dokumentacionit përkatës, duke lënë një afat prej dhjetë ditësh.

Pas skadimit të afatit, prona është marrë në menaxhim nga “Trepça”.

“Një lokal me sipërfaqe mbi 45 m² në Rrugën “Mbreti Milutin” në Zveçan, i cili për vite ishte shfrytëzuar nga ish-Banka Komerciale, i është rikthyer në posedim dhe administrim Trepçës Sh.A.”- theksohet në njoftim.

Kryeshefi i ndërmarrjes, Faton Ahmeti, tha për KALLXO.com se në rastet kur palët nuk paraqesin dokumentacion që dëshmon se prona është e tyre, “Trepça” ndërmerr masa për lirimin e saj.

“Ne veç jemi duke i kryer punët tona në bazë të autorizimeve që i kemi, duke mbrojtur pronën, pasurinë e ndërmarrjes, kthimin e saj te pronari”- deklaroi ai.

Sipas Ahmetit, vetëm gjatë dy javëve të fundit janë rikthyer në menaxhim pesë lokale dhe një parking me disa garazhe.

“Vetëm në këto dy javë, diku afërsisht pesë lokale i kemi rikthyer dhe një parking të madh me disa garazhe, mbi 1600 metra katrorë”- ka thënë Ahmeti.

Mëngjesin e 22 prillit, ndërmarrja “Trepça” kishte rrënuar mbi 20 garazhe dhe objekte të tjera pranë Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë të Veriut.

Sipas “Trepçës”, objektet e rrënuara ishin ndërtuar në pronë të ndërmarrjes, e cila, sipas saj, ishte uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme.

Nga menaxhmenti i ndërmarrjes ishte thënë se aksioni ishte ndërmarrë pas një periudhe mbi dy-mujore, gjatë së cilës palëve u ishte dhënë mundësia të paraqisnin prova apo interesim për rregullimin e statusit përmes kontratës.

Sipas “Trepçës”, gjatë kësaj periudhe nuk ishte pranuar asnjë kërkesë apo interesim konkret.

Megjithatë, Millan Radojeviq, kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut, kishte thënë të kundërtën.

Sipas tij, Komuna nuk ishte njoftuar apo konsultuar për rrënimin dhe nuk kishte marrë asnjë shkresë nga “Trepça” për një veprim të tillë.

Radojeviq kishte pretenduar se “Trepça” nuk ka status pronësie mbi këtë pronë, por është vetëm shfrytëzuese e saj.

Ai e kishte cilësuar si “skandaloze” dhe “zhgënjyese” faktin që Policia e Kosovës i kishte ofruar asistencë “Trepçës” gjatë aksionit.

Nga ana tjetër, menaxhmenti i “Trepçës” kishte thënë se veprimi ishte ndërmarrë pas kërkesës së Burgut Rajonal dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas ndërmarrjes, qëllimi ishte rikthimi i menaxhimit të ligjshëm të pronës dhe rritja e sigurisë në këtë zonë.

Ndërkohë, për KALLXO.com, zyrtari për menaxhimin e pronave dhe aseteve, Burim Hajdini, kishte bërë të ditur se vetëm në Mitrovicën e Veriut janë rikthyer 91 parcela.

Sipas tij, bëhet fjalë për rreth 13 hektarë tokë, me vlerë financiare prej rreth 24 milionë eurosh.

Rikthimi i pronave është pjesë e veprimeve të “Trepçës” për administrimin dhe mbrojtjen e aseteve të saj në komunat veriore.

Rrënimi i garazheve dhe objekteve të tjera në pronën e “Trepçës”, kundërthënie mes Komunës dhe ndërmarrjes