Prekazi: Foto/Facebook

Çfarë pozitash kishin 35 të akuzuarit për krime lufte në lagjen e Jasharëve?

35 të akuzuar tashmë janë vendosur në dosjen 155 faqeshe të Prokurorisë Speciale, në lidhje me krime lufte të cilat kanë ndodhur në lagjen e Jasharëve në Prekaz më 1998.

KALLXO.com ka siguruar dosjen që tregon rolin e secilit të akuzuar që pati gjatë luftës në Kosovë, e që dyshohen se janë përfshirë në planifikimin, organizimin, koordinimin, urdhërimin dhe drejtimin e sulmit në lagjen Jasharaj në fshatin Prekaz i Poshtëm, e që tani akuzohen për vrasjen e 26 civilëve shqiptarë.

Në krye të strukturës, sipas dosjes, ishte Jovica Stanishiq, në cilësinë e shefit të Departamentit të Sigurisë Shtetërore, ndërsa Vlastimir Gjorgjeviq ishte shef i Departamentit të Sigurisë Publike.

Sreten Lukiq ishte ndihmës shef për çështje policore në Sekretariatin e Punëve të Brendshme në Beograd, si dhe koordinator dhe udhëheqës i shtabit të krijuar në Prishtinë.

Goran Radosavljeviq i njohur edhe me nofkën ‘Guri’ ishte udhëheqës për detyra dhe punë të natyrës speciale të sigurisë në shtabin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prishtinë dhe koordinator, përkatësisht udhëheqës i shtabit në Fabrikën e Municionit në Skenderaj.

Milorad Ulemek i njohur me nofkën ‘Legia’ ishte komandant i Njësisë për Operacione Speciale, ndërsa Zhivko Trajkoviq komandant i Njësive Speciale Antiterroriste.

Zoran Simoviq, i njohur me nofkën ‘Tutinac’ ishte komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Beograd, ndërsa Spasoje Vuleviq ishte zëvendëskomandant në teren i kësaj njësie.

Branko Çurçiq ishte komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Novi Sad, ndërsa Zhelimir Mrdal ishte zëvendëskomandant në teren.

Radisllav Staleviq, ishte komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste në Prishtinë, ndërsa Vllado Todoroviq, ishte zëvendëskomandant në teren i kësaj njësie.

Në kuadër të Njësisë së Posaçme të Policisë, Branko Prljeviq ishte komandant i Detashmentit të Uzhicës, Radosllav Mitroviq komandant i Detashmentit të Nishit, Milivoje Stojilkoviq komandant i Kompanisë së Leskovcit, Sërxhan Iliq komandant i Kompanisë së Vranjës dhe Nenad Stojkoviq komandant i Togut të Nishit.

Bozhidar Filiq ishte komandant i Detashmentit të Kosovës, ndërsa Zharko Brakoviq ishte komandant i Detashmentit 24 të Prishtinës.

Çedomir Bozhoviq ishte komandant i Kompanisë së Mitrovicës dhe njëkohësisht komandant i Togut të Mitrovicës.

Zharko Rokviq ishte komandant i Togut të Skenderajt, Dushan Ivanoviq komandant i Togut të Leposaviqit, Staleta Mojsilloviq komandant i Togut të Zubin Potokut dhe Vuçina Janiçijeviq komandant i Togut të Vushtrrisë.

Milan Leçiq ishte komandant i Kompanisë së Ferizajt, Radomir Çoliq komandant i Kompanisë së Gjakovës, Sërxhan Peroviq komandant i Kompanisë së Pejës, Nenad Milaciq komandant i Kompanisë së Prishtinës, ndërsa Velko Radenoviq komandant i Kompanisë së Prizrenit.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, këta persona, në këto pozita, gjatë muajit mars të vitit 1998, në lagjen Jasharaj të fshatit Prekaz i Poshtëm, dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje dhe në koordinim të ndërsjellë, duke shfrytëzuar autoritetin dhe kompetencat që lidhen me pozitat e tyre.

Prokuroria pretendon se ata, ndonëse ishin të vetëdijshëm për praninë e një numri të madh të popullsisë civile dhe për pasojat e rënda që mund t’i shkaktoheshin asaj, me dashje kanë planifikuar, organizuar, koordinuar, urdhëruar dhe drejtuar sulmin ndaj zonës ku ndodheshin civilët.

Sipas dosjes, sulmi ishte kryer me përdorimin e artilerisë së rëndë, tankeve dhe mjeteve të tjera luftarake.

Si pasojë e sulmit, sipas Prokurorisë, janë vrarë persona civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Në dosje thuhet gjithashtu se persona civilë janë marrë peng, malltretuar dhe torturuar, ndërsa janë shkatërruar objekte dhe infrastrukturë civile.

Si ishte hartuar dhe koordinuar plani?

Sipas dosjes, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, në vitin 1998, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, përmes Shtabit Ndërsektorial, kishte hartuar planin për ta sulmuar lagjen Jasharaj në fshatin Prekaz i Poshtëm.

Shtabi Ndërsektorial përbëhej nga përfaqësues të Departamentit të Sigurisë Publike dhe Departamentit të Sigurisë Shtetërore dhe udhëhiqej nga Jovica Stanishiq, në cilësinë e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme dhe shefit të Departamentit të Sigurisë Shtetërore.

Zëvendësi i tij, sipas dosjes, ishte Vllastimir Gjorgjeviq, në cilësinë e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme dhe shefit të Departamentit të Sigurisë Publike.

Për realizimin e këtij plani, Shtabi Ndërsektorial kishte bashkërenduar veprimet me Shtabin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për Kosovën, me seli në Prishtinë, i themeluar në vitin 1997.

Gjatë operacionit në Prekaz të Poshtëm, ky shtab udhëhiqej nga Sreten Lukiq, i cili, sipas dosjes, ishte përgjegjës për koordinimin dhe bashkërendimin operacional të Njësisë për Operacione Speciale, Njësisë Speciale Antiterroriste dhe Njësisë së Posaçme Policore.

Po ashtu, sipas dosjes, Lukiq ishte përgjegjës për miratimin e përdorimit të llojit të armatimit dhe mjeteve luftarake, dhënien e urdhrave, pranimin dhe dhënien e raporteve dhe mbikëqyrjen e realizimit të operacionit.

Në zbatim të planit të hartuar dhe koordinuar nga këto dy shtabe, ishte përcaktuar që në sulmin ndaj lagjes Jasharaj të angazhoheshin Njësitë Speciale Antiterroriste dhe Njësitë e Posaçme Policore, të cilat vepronin në kuadër të Departamentit për Siguri Publike, si dhe Njësia për Operacione Speciale, e cila vepronte në kuadër të Departamentit për Siguri Shtetërore.

Lagjja Jasharaj nën vëzhgim që nga janari

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, nga fillimi i janarit të vitit 1998 e deri në përfundim të sulmit të armatosur pas datës 7 mars 1998, lagjja Jasharaj në fshatin Prekaz i Poshtëm ishte nën vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm nga Njësia për Operacione Speciale.

Kjo njësi udhëhiqej nga komandanti i saj, Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legia”, i cili, sipas dosjes, gjatë kësaj periudhe ishte i pranishëm në fshatin Prekaz i Poshtëm dhe drejtonte veprimet e njësisë së tij.

Në vëzhgimin dhe përgatitjen e operacionit kishte marrë pjesë edhe Njësia e Posaçme e Policisë, përkatësisht Kompania e Mitrovicës, e udhëhequr nga komandanti i saj, Çedomir Bozhoviq.

Sipas dosjes që ka siguruar KALLXO.com edhe Bozhoviq ishte i pranishëm gjatë gjithë periudhës së vëzhgimit dhe përgatitjes së operacionit në fshatin Prekaz i Poshtëm.

Këto njësi, sipas dosjes së Prokurorisë Speciale të siguruar nga KALLXO.com, ishin të vendosura brenda kompleksit të Fabrikës së Municionit në Skenderaj, në një objekt të njohur si “Villa”, nga ku ushtronin vëzhgimin e vazhdueshëm të lagjes Jasharaj, si fizikisht ashtu edhe përmes kamerave të vendosura në një rezervuar uji të Fabrikës së Municionit, në një lartësi rreth 50 metra, të cilat regjistronin lagjen 24 orë në ditë, 7 ditë të javës, duke mundësuar kontrollimin dhe monitorimin e çdo lëvizje të banorëve të lagjes.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë për krime lufte të kryera në lagjen e Jasharajve, në Prekaz të Skenderajt ndaj 35 të pandehurve.

Blerim Isufaj, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale tha se kjo është aktakuza e parë e dorëzuar lidhur me krimet ndaj civilëve në lagjen e Jasharajve në Prekaz.

“Rëndësia e aktakuzës është e veçantë sepse është aktakuzë e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharajve në Prekaz të Skenderajt. Si Prokurori Speciale jam i bindur se është punuar me kujdes të shtuar që pretendimet në aktakuzë të vërtetohen para gjykatës. Sikurse rasti i krimeve të luftës në Zubin Potok për shkak që bëhet fjalë për një rast në hetim nuk mund të japim detaje. Gjatë javëve të fundit është dorëzu edhe një aktakuzë për spiunazh. Po ashtu vlen të theksohet bashkëpunimi me institucionet e tjera relevante”- tha Isufi.

Prokurori Valdet Gashi ka dhënë detaje rreth aktakuzës të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gashi tha se si prokurori kanë vërtetuar se 35 të pandehurit kanë kryer veprën penale për krime lufte kundër popullatës civile në datat 5-6 dhe 7 mars të vitit 1998.

Prokurori Gashi theksoi se të pandehurit kanë pasur pozita të larta në zingjirin komandues të forcave speciale serbe në atë kohë.

“Pas një pune disa vjeçare kemi arritur të finalizojmë punën me aktakuzë. Ky është një rast shumë kompleks dhe sfidues por falë një pune intensive të prokurorisë dhe bashkëpunimit të ngushtë me Policinë dhe institucione të tjera ne kemi arrit të dorëzojmë aktakuzën në Gjykatë. Ne kemi arritur të vërtetojmë se të pandehurit kanë kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile në datat 5-6-7 mars të vitit 1998. Si rezultat i hetimit kemi arritur të identifikojmë 35 të pandehurit që janë në pozita të larta komanduese të ushtrisë serbe. Kemi identifikuar se cilat njësi kanë marrë pjesë, aktivitetit secilit prej të pandehurve, armatimi që është përdorur. Provat e siguruara në këtë hetim është vërtetuar se janë vrarë 26 persona civil në mesin e të cilëve kishte fëmijë përveç tjerash është provuar se gjatë këtij sulmi, njësitë policore kishin marrë peng civil që i kishin torturua”- ka dhënë detaje prokurori Gashi.

Gashi tha se aktakuza është ngritur në mungesë dhe se nga informacionet që kanë 35 të pandehurit janë gjallë.

Sipas prokurorit Gashit sfidë gjatë hetimeve ka qenë identifikimi i njësive speciale serbe që kanë ndërmarrë veprimet për kryerjen e vrasjeve.

“Sfida ma e madhe ka qenë identifikimi i këtyre njësive. Departamenti i sigurisë publike ka qenë i inkuadruar, ministria e punëve të brendshme, departamenti i sigurisë shtetërore ka qenë edhe njësia për operacione speciale e Serbisë që ka pas për obligim dhe për detyrë ta sulmoj shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit”- tha Gashi.

Gashi tha se aktakuza përfshinë vrasjen e 26 civilëve në të gjithë lagjën e Jasharajve dhe nuk bëhet fjalë vetëm për familjen e ngushtë të Jasharajve, por të gjithë banorët e lagjes së Jasharajve.

Ai bëri të ditur se në sulm kanë marrë pjesë disa struktura të forcave serbe, përfshirë Departamentin e Sigurisë Publike, strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Departamentin e Sigurisë Shtetërore dhe Njësinë për Operacione Speciale (JSO).

Sipas Gashit, JSO-ja drejtohej nga Milorad Ulemek, i njohur si “Legija”, dhe kjo njësi kishte, sipas aktakuzës, detyrë të sulmonte drejtpërdrejt shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit.

“Janë shumë njësi që janë përfshirë. Është Njësia e Posaçme e Policisë, Njësia Speciale Antiterroriste, mandej kemi departamente të Punëve të Brendshme që janë në kuadër të nivelit të Ministrisë”, tha Gashi.

Janari i vitit 2026, shënon 28-vjetorin e sulmit të dytë ndaj Familjes Jashari, më 22 janar 1998.

Më 22 janar 1998 në Prekaz kishte pasur luftime në mes familjes Jashari në njërën anë dhe forcave serbe në anën tjetër.

Ky njihet si sulmi i dytë ndaj Kullës së Jasharajve.

Atë ditë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharajve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

Plagë kishin marrë disa anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës që shfaqën ndaj sulmit, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998.

Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po i bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.