Këngëtari Jozefin Marku vendoset në 'stop-listë' nga Policia e Kosovës
Këngëtari Jozefin Marku është vendosur në listën e personave që do të ndalohen nga Policia e Kosovës në momentin e parë që do të haset.
Kështu ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Pejës për KALLXO.com. Ky veprim është ndërmarrë në lidhje me disa pamje të cilat janë publikuar në media të ndryshme online. Marku dyshohet se bashkë me disa persona të tjerë grushtojnë e rrahin shtetasin e Kosovës, Eduard Kuçi, derisa i njëjti ishte në Shqipëri.
Shkodran Nikçi ka thënë për KALLXO.com se fillimisht prokurori kujdestar me vetiniciativë ka hapur rast ndaj Markut, i cili është shtetas i Shqipërisë, për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor.
“Prokurori i shteti ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit dhe vendosjen ne stop listë të dyshuarit dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tij”- ka thënë Nikçi për KALLXO.com.
Tutje, sipas Nikçit, veprimet janë ndërmarrë bazuar në nenin 109 të Kodit Penale të Republikës se Kosovës, i cili zbatohet ndaj cilitdo person të huaj që ka kryer veprën penale jashtë territorit të Republikës së Kosovës ndaj shtetasit të saj.
Në disa video-incizime të cilat janë publikuar në rrjete sociale shihet se si Eduard Kuçi ndalohet nga Marku dhe disa persona të tjerë. Gjithmonë sipas pamjeve, shihet se në momentin e parë që del nga vetura menjëherë sulmohet me grushte nga Marku bashkë me një person tjetër.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë e Shtetit në lidhje me rastin. Të njëjtit kanë thënë se do të dalin me njoftim më vonë.