Kontrabandimi i 10 migrantëve, të akuzuarit deklarohen në lidhje me fajësinë
Seanca fillestare ndaj të akuzuarve Selver Doroci, Albion Ferizi dhe Blendi Dibrani, të akuzuar për kontrabandim me migrantë është mbajtur të premten më 04.09.2026 në Gjykatën e Prizrenit.
Të pyetur nga gjyqtari Artan Sejrani në lidhje me pranimin e fajësisë të akuzuarit Doroci dhe Ferizi nuk kanë pranuar fajësinë sipas aktakuzës, kurse i akuzuari Dibrani para gjykatës ka pranuar fajësinë.
“Po pranoj fajësinë”- tha Dibrani.
Sa i përket deklarimit të Dibranit, prokurorja Ervehe Gashi e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë, duke arsyetuar se ai akuzohet për veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”, në bashkëkryerje me Albion Ferizin.
Prokurorja Gashi ka deklaruar se provat materiale në këtë rast kanë lidhshmëri dhe janë të njëjta me ato të administruara në aktakuzën ndaj bashkakuzuarve Ferizi dhe Selver Doroci. Për këtë arsye, ai ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës nuk mund të pranohet deklarimi i fajësisë së Dibranit, duke i propozuar gjykatës që ky deklarim, në rast se merret parasysh në fazat e mëtejshme të procedurës, të konsiderohet si rrethanë lehtësuese gjatë matjes së dënimit.
Gjyqtari Sejrani ka nxjerrë aktvendim me të cilin ka refuzuar pranimin e fajësisë nga Blendi Dibrani, duke arsyetuar se bëhet fjalë për veprën penale të kontrabandimit me migrantë dhe se rasti ka të bëjë me bashkëkryerje. Në aktvendim thuhet se, nëse Dibrani shpallet fajtor, gjykata do ta marrë parasysh pranimin e fajësisë gjatë matjes së dënimit.
Tutje gjatë seancës avokatja e të akuzuarit Doroci, Anita Qelaj, ka kërkuar ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj klientit të saj. Ajo ka argumentuar se, me përfundimin e hetimeve dhe ngritjen e aktakuzës, nuk ekziston më rreziku që Doroci të ndikojë në prova apo dëshmitarë, pasi provat materiale janë siguruar dhe sekuestruar, ndërsa janë kryer edhe ekzaminimet e telefonave si dhe janë dëgjuar dëshmitarët.
Gjithashtu kërkesën për ndërprerjen e paraburgimit e ka mbështetur edhe avokati i të akuzuarit Blendi Dibranit, Jetullah Aliu, ku ka theksuar se hetimet kanë përfunduar dhe se Dibrani ndodhet në paraburgim që nga 23 shtatori 2025. Sipas tij, Dibrani do t’i përgjigjet çdo thirrjeje të gjykatës dhe nuk ka të kaluar kriminale.
Ndërsa prokurorja Gashi ka deklaruar se ia lë në vlerësim gjykatës vendosjen lidhur me kërkesat e mbrojtjes për ndryshimin e masës së paraburgimit.
Çka thuhet në aktakuzë?
Sipas aktakuzës, Selver Doroci më 23 shtator 2025, në Mitrovicë dhe në afërsi të fshatit Shkozë të Prizrenit, akuzohet se ka organizuar dhe drejtuar Albion Ferizin dhe Blendi Dibranin për kryerjen e veprës penale të kontrabandimit me migrantë.
Sipas aktakuzës, Doroci fillimisht kishte marrë me qira një automjet të cilin më pas ua kishte dorëzuar Ferizit dhe Dibranit. Po atë ditë, sipas aktakuzës, ai i kishte kontaktuar përmes rrjetit social “Snapchat” me qëllim që të kryenin transportimin e migrantëve që kishin hyrë ilegalisht në Kosovë nga pika kufitare e Vërmicës.
Aktakuza pretendon se Doroci i kishte përcjellë Ferizin dhe Dibranin gjatë rrugëtimit drejt Vërmicës, ndërsa qëllimi ishte që migrantët të transportoheshin deri në afërsi të pikës kufitare Kosovë–Serbi, në afërsi të Mitrovicës. Për këtë transport, sipas Prokurorisë, të akuzuarit do të paguheshin 150 euro.
Kurse sipas aktakuzës, Albion Ferizi dhe Blendi Dibrani, pasi e kishin marrë automjetin nga Selver Doroci, në orët e vona të natës ishin nisur në drejtim të pikës kufitare të Vërmicës.
Sipas Prokurorisë, në afërsi të urës në autostradë, automjeti ishte ndalur në shiritin emergjent, ku Ferizi ishte duke e drejtuar automjetin, ndërsa Dibrani kishte dalë jashtë tij. Në atë moment, zyrtarët policorë kishin vërejtur disa persona, në një distancë prej rreth 2–3 metrash jashtë rrethojës së autostradës.
Sipas aktakuzës, bëhej fjalë për 10 shtetas egjiptianë, të cilët kishin kaluar në mënyrë të kundërligjshme kufirin Kosovë–Shqipëri dhe që, sipas pretendimit të Prokurorisë, Ferizi dhe Dibrani kishin për qëllim t’i transportonin deri në afërsi të kufirit Kosovë–Serbi.
Të akuzuarit janë ndaluar nga Policia para se transporti të realizohej. Prokuroria pretendon se për këtë transport ata do të merrnin 150 euro dhe se, së bashku me Selver Dorocin, kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”.