Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Orët e tmerrit në Himarë, flakët izolohen larg shtëpive, helikopteri nis operacionin nga ajri në agim

Shkruar nga Newsbomb
Orët e tmerrit në Himarë, flakët izolohen larg
Helikopteri nis operacionin nga ajri në agim

Helikopteri Cougar i Forcës Ajrore ka nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm operacionin e shuarjes së zjarreve në Himarë, pasi qyteti i vogël në bregun e jugut kaloi orë të vështira mbrëmjen e djeshme, ku u dogjën disa shtëpi dhe u rrezikuan të tjera.

Siç shihet dhe nga pamjet, në agim, Forca Ajrore ka dhënë lejen për angazhimin e helikopterit Cougar në shuarjen e zjarreve. Sipas raportimeve nga terreni, brenda pak minutash në Himarë do të jetë dhe një helikopter i dytë.

Shtatë shtëpi në lagjen "1 Maji" raportohet se janë djegur gjatë mbrëmjes së djeshme dhe Bashkia Himarë dha urdhër të menjëhershëm evakuimi për banorët dhe turistët e shumtë. Veç zjarrfikësve që po përpiqeshin për izolimin e flakëve, në terren shkuan edhe forca të shumta policie, të cilët u angazhuam për evakuimin e banorëve dhe turistëve.

Flakët janë favorizuar nga era dhe terreni i vështirë ka pamundësuar ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse në disa vatra kritike. Sot, flakët nuk rrezikojnë më zonat e banuara, por janë izoluar në kodrat e Himarës.  

Gjithashtu, për shkak të natës, nuk ka mundur të angazhohen dot dy helikopterët Cougar të Forcës Ajrore sepse pilotët dhe mjetet nuk janë të specializuar e certifikuar për fluturime natën. Aq më tepër kur bëhet fjalë për operacione të tilla me rrezikshmëri tepër të lartë.

Prej mbrëmjes së djeshme në Himarë kanë shkuar vetë Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke koordinuar nga afër angazhimin e të gjitha strukturave.

Gjithashtu, të pranishëm kanë qenë edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi. Rreth 250 forca janë në terren, të mbështetura nga 12 mjete zjarrfikëse të ardhura nga bashkitë e jugut.

"Pas një nate të vështirë, lindja e diellit na gjeti me përforcime edhe nga ajri, për të vijuar betejën me flakët dhe për të shuar edhe vatrat e mbetura aktive, tashmë larg qendrave të banuara.

Puna vijon pa ndërprerje, me të gjitha forcat e angazhuara në terren, për të garantuar sigurinë e banorëve dhe për ta mbyllur përfundimisht këtë situatë", shkruan Allushi.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese