Presidenti i Republikës ishte ditën e sotme në Përmet ku zhvilloi një takim me kryetaren e Bashkisë, Alma Hoxha, dhe përfaqësues të pushtetit vendor, Kreu i Shtetit u njoh me rritjen e numrit të vizitorëve dhe me rikthimin e të rinjve nga emigracioni, të cilët po investojnë në vendlindje. Begaj falënderoi bashkëpunimin mes sipërmarrjes private, bashkisë dhe qeverisë qendrore për këto rezultate.
Begaj e vlerësoi shumë mënyrën se si qyteti i Përmetit ndërthur trashëgiminë kulturore dhe fetare me zhvillimin ekonomik dhe turistik.
Gjatë vizitës në zonën historike, Presidenti pa nga afër banesat karakteristike të restauruara, të cilat tashmë janë kthyer në atraksion për turistët. Itinerari vijoi me ndalesa në biznese të vogla familjare, struktura hoteliere dhe punishte artizanale ku prodhohet verë dhe gliko.
Presidenti vlerësoi kontributin e emigrantëve që kanë sjellë në Përmet përvojën e fituar në vendet perëndimore, si dhe përkushtimin për të ruajtur prodhimet bio tradicionale që tregtohen brenda dhe jashtë vendit. Sipas tij, këto investime janë shtysë për ekonominë lokale dhe për një turizëm të qëndrueshëm.
Një tjetër ndalesë ishte Inkubatori i Përpunimit të Produkteve Bujqësore, të cilin Begaj e cilësoi si një mbështetje konkrete për fermerët për grumbullimin, përpunimin dhe certifikimin e produkteve bio. Ai theksoi se nisma të tilla ndihmojnë në ruajtjen dhe promovimin e markës së produkteve përmetare.
Begaj vuri theksin edhe te bashkëjetesa dhe trashëgimia fetare, duke u shprehur se Përmeti njihet jo vetëm për mikpritjen dhe bujarinë, por edhe si vend i harmonisë fetare dhe i objekteve të kultit me vlera historike.
Në këtë kuadër, ai vizitoi edhe Kishën e Shën Marisë në Leusë, monument i arkitekturës bizantine me afreske të rralla, që tërheq çdo vit një numër të madh vizitorësh.
