Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka reaguar mbi zjarret që kanë përfshirë fshatrat e Fierit ditën e sotme. Nufi ka publikuar bilancin e angazhimit të Forcave të Armatosura që prej orëve të para të mëngjesit, në mbështetje të operacioneve për shuarjen e vatrave të zjarrit në disa qarqe të vendit.
Në postimin e tij, ministri bën me dije se FA vijon të jetë në gatishmëri të plotë në disa vatra aktive, me efektivë, automjete zjarrfikëse dhe helikopterë të Forcës Ajrore.
“Që prej orëve të para të ditës, efektivët e Forcave të Armatosuravijojnë angazhimin e pandërprerë në terren, në mbështetje të operacioneve për shuarjen dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit në disa zona të vendit.
Në qarkun Fier, në fshatin Drizë-Radostinë, bashkia Fier, janë angazhuar 55 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa 10 familje janë evakuuar.
Në Njësinë Administrative Ungrej, bashkia Lezhë, janë angazhuar 80 efektivë të FA dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore.
Në fshatin Qinam, Zall-Herr, janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse të FA dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Zjarri konsiderohet i fikur.
Në Dajt, vijon angazhimi me 30 efektivë të FA dhe 1 helikopter të Forcës Ajrore.
Në Mallunxë, Mat, janë angazhuar 30 efektivë dhe 1 automjet zjarrfikës i FA. Aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Forcat e Armatosura vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë dhe në mbështetje të komuniteteve, aty ku nevojitet.” shkruan Ministri Mbrojtjes në një postim në rrjete sociale.
