Policia e Tiranës ka arrestuar një 20-vjeçar, i cili dyshohet se kishte porositur një pako me 4 kg e 641 gramë Cannabis me përqindje të lartë THC nga SHBA-ja.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga ka rënë shtetasi D. S., 20 vjeç, banues në Bathore. Ai dyshohet se ishte porositësi i pakos që përmbante lëndën narkotike, e cila dyshohet se ishte trafikuar nga SHBA-ja.
Pakoja u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ku brenda saj u gjetën 8 paketime me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis, me peshë totale 4 kg e 641 gramë.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Delivery”, për goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike nga SHBA-ja, me qëllim shitjen në Shqipëri.
Identifikohet dhe vihet në pranga 20-vjeçari, i cili kishte porositur një pako me Cannabis me përqindje të lartë THC.
Në vijim të operacioneve për goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë, si dhe në bashkëpunim me filialin “Qendra Tranzite” të Postës Shqiptare, finalizoi operacionin policor të koduar “Delivery”.
Në kuadër të këtij operacioni, pas një hetimi të kryer për rastin, u bë i mundur identifikimi i shtetasit D. S., 20 vjeç, banues në Bathore, si porositës i pakos me 4 kg e 641 gramë Cannabis me përqindje të lartë THC, e dyshuar se ishte trafikuar nga SHBA-ja. Në vijim të veprimeve procedurale, 20-vjeçari u vu në pranga nga shërbimet e Policisë.
Pakoja, e cila përmbante 8 paketime me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis, me peshë totale 4 kg e 641 gramë, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga ana e Policisë po vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
