Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, gjatë një deklarate për mediat nga terreni tha se po punohet për të vënë nën kontroll situatën e krijuar për shkak të flakëve në Fier.
Zjarri ka prekur më së shumti ullishtet, të cilat kanë qenë të papastruara dhe janë bërë shkak për përhapjen e shpejtë të flakëve. Të gjitha strukturat ndodhen në terren dhe helikopterët dhe avionët po punojnë dhe kanë vënë nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të flakëve.
"Po vazhdojmë punën. Ka disa orë që Levani dhe kodrinat e Fierit janë përshkuar nga një zjarr masiv. Ullishtet janë shumica e tyre të papastruara dhe kanë shkurre masive që bëhen shkak për përhapjen e zjarreve. Helikopterët dhe avioni po punojnë dhe kanë vënë nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të flakëve, që kanë rrezikuar edhe biznese e banesa. Tashmë lokalet, prefektura, bashkia, ka të gjithë organizimin e mundshëm për të evidentuar lëvizjen e njerëzve. Zjarri kryesisht ka përshkuar zonë pemëtarie, por është një ndezje nga dora e njeriut. Natën helikopterët nuk operojnë dot. Do të operohet me forca nga toka. Problemi i vënies para përgjegjësisë ligjore është kompetencë e organeve kompetente, e Policisë dhe organeve të drejtësisë, që duhet të jenë më korrekte dhe drastike ndaj autorëve të zjarrvënies. Do të duhet që gjithsecili të përgjigjet ligjërisht dhe pse jo edhe me sanksione ekstreme", tha Çako.
