Prej më shumë se pesë orësh një zjarr i fuqishëm vijon të përfshijë zona të ndryshme në Fier. Flakët, të cilat fillimisht u shfaqën në kodrat e mbjella me ullinj në fshatin Radostinë, janë përhapur me shpejtësi drejt Qafës së Koshovicës, duke rrezikuar banorët, banesat dhe bizneset që ndodhen pranë zonës.
Situata paraqitet problematike, pasi flakët kanë dalë jashtë kontrollit, për shkak të terreni të thyer dhe malor, e shoqëruar me erën e fortë, po e vështirëson ndjeshëm ndërhyrjen e forcave nga toka. Në zonë kanë mbërritur dy helikopterë, të cilët kanë nisur operacionin për shuarjen e flakëve.
Lidhur me situatën ka reaguar përmes një videoje edhe deputeti Ramion Kurti, i cili ka bërë me dije se në terren ndodhen rreth 10 mjete zjarrfikëse, dy helikopterë dhe forcat e Policisë së Shtetit.
“Prej më shumë se pesë orësh po zhvillohet një betejë shumë e vështirë me flakët. Situata është paksa e rënduar, por forcat tona janë të angazhuara maksimalisht. Në terren janë të pranishme gati 10 mjete zjarrfikëse, të mbështetura nga dy helikopterë dhe nga forcat e Policisë së Shtetit, të cilat po punojnë pa ndërprerje për të frenuar përhapjen e flakëve. Për shkak të erës së fortë, flakët kanë avancuar me një shpejtësi të jashtëzakonshme, duke e bërë ndërhyrjen edhe më të vështirë. Megjithatë, falë përpjekjeve të koordinuara, situata po fillon të stabilizohet dhe pritet që shumë shpejt të vihet nën kontroll”, u shpreh deputeti.
Ndërkohë, Shefi i Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Fierit, Kreshnik Ymeraj, ka folur për mediat, duke dhënë detaje mbi situatën. Sipas tij, zjarri ka nisur fillimisht në zonën e fshatrave Drizë dhe Fadis, ndërsa era e fortë dhe terreni i vështirë kanë favorizuar përhapjen e flakëve drejt zonave të tjera, deri në pyllin e Peshtanit. Ai bëri me dije gjithashtu se janë evakuuar rreth 7-8 familje, ndërsa në zonë ka pasur edhe prezencë të flakëve në oborret e banesave.
“Zjarri ka nisur që në mesditë, në fshatin Drizë dhe Fadis. Për shkak të erës dhe terrenit të vështirë ka marrë një përhapje edhe në zona të tjera. Ka arritur deri këtu në zonën e liqenit që i themi ne, në pyllin e Peshtanit. Ka prekur edhe masivin pyjor të zonës së mbrojtur këtej. Menjëherë me marrjen e njoftimit janë angazhuar strukturat vendore të bashkisë me 4 mjete zjarrfikëse për vënien nën kontroll të zjarreve. Duke vlerësuar situatën që paraqitej problematike, kemi angazhuar edhe kapacitete të tjera të bashkive fqinje.
Kemi bërë kërkesë menjëherë për ndërhyrje nga ajri, me qëllim izolimin e vatrës dhe vënien nën kontroll të zjarreve. Në këtë perimetër zjarri ka edhe njësi ekonomike dhe zona të banuara. Kemi bërë edhe evakuimin e disa familjeve, mund të jenë diku te 7-8 familje që janë evakuuar. Aktualisht nga të dhënat paraprake nuk kemi banesa të dëmtuara, por kemi vetëm prezencë të zjarreve në oborret e banesave. Falë ndërhyrjes në kohë është bërë e mundur deri tani që të mos kemi djegie të banesave.
Të gjitha forcat nga toka dhe ajri po operojnë për vënien nën kontroll të zjarreve. Aktualisht janë 2 helikopterë që po operojnë. Ndërhyrja nga ajri nuk është e vonuar. Ndërhyrja nga ajri ka filluar që kur vatra e zjarrit ka qenë në zona të tjera. Për shkak të frikës që kanë qytetarët, mund ta konsiderojnë si ndërhyrje të vonuar. Do të punohet me të gjitha forcat dhe kapacitetet për ta vënë zjarrin nën kontroll”, tha mes të tjerash shefi i Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Fierit, Kreshnik Ymeraj.


