Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Dy ushtarakë në përplasjen e Radhimës, Ministria e Mbrojtjes: Shërbejnë në Policinë Ushtarake prej viti 2006, por nuk janë shoqëruesit personalë të ministrit Ermal Nufi (REAGIMI)

Shkruar nga Newsbomb
Dy ushtarakë në përplasjen e Radhimës, Ministria e
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi

Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një deklaratë sqaruese lidhur me ngjarjen e ndodhur mesditën e së enjtes në Radhimë, ku dy biznesmenët Luan Muça dhe Vasil Bedinaj u përfshin në një konflikt që degjeneroi deri në përdorimin e armëve të zjarrit.

Sipas raportimeve, në ngjarje kanë marrë pjesë edhe dy ushtarakë që shërbejnë në Forcat e Armatosura, Policia Ushtarake, prej vitit 2006. Ministria e Mbrojtjes ka përgënjeshtruar lajmet se të dy këta ushtarakë ishin shoqëruesit e ministrit Ermal Nufi.

Deklarata për media e shpërndarë nga Ministria e Mbrojtjes:

“Në lidhje me raportimet e disa portaleve për përfshirjen e dy efektivëve të Policisë Ushtarake në ngjarjen e ndodhur dje në Vlorë, e konsideroj të nevojshme të sqaroj opinionin publik se këta persona nuk janë truproja apo badigardë personalë.

Ata janë pjesë e Policisë Ushtarake, strukturë e Forcave të Armatosura me detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara me ligj.

Efektivët e dyshuar janë pjesë e Policisë Ushtarake që nga viti 2006 dhe në periudha të ndryshme prej vitit 2018-të, ata kanë kryer edhe detyra të sigurisë, mbrojtjes dhe shoqërimit institucional të Ministrit të Mbrojtjes, por kjo nuk i bën ata punonjës personalë të ministrit dhe, aq më pak, nuk i lidh veprimet e tyre individuale me institucionin apo me ministrin.

Dua të theksoj gjithashtu se asnjëri prej dy efektivëve nuk ka qenë në shërbim ditën e ngjarjes në Vlorë. Për rrjedhojë, çdo veprim i tyre në këtë ngjarje, nëse konfirmohet nga organet kompetente, është veprim individual dhe jashtë detyrës institucionale.

Ministria e Mbrojtjes distancohet qartësisht nga çdo veprim i paligjshëm dhe respekton plotësisht hetimin e organeve ligjzbatuese.

Përgjegjësia individuale dhe rrethanat e ngjarjes do të përcaktohen vetëm nga autoritetet kompetente, në përputhje me ligjin. Deri në përfundimin e verifikimeve, dy efektivët janë pezulluar nga shërbimi në Policinë Ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes mbetet e vendosur për respektimin e ligjit, disiplinës dhe integritetit profesional nga çdo efektiv dhe punonjës i strukturave të saj. Uniforma, autoriteti dhe detyra shtetërore nuk mund të përdoren për qëllime personale apo jashtë kuadrit ligjor.

Çdo shkelje e konstatuar do të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.”

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese