Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Parcela në Palasë u bë “molla e sherrit”, Lamallari e Hita për përplasjen e biznesmenëve: Do të merren parasysh pretendimet e palëve

Shkruar nga Newsbomb
Parcela në Palasë u bë “molla e sherrit”, Lamallari e
Besfort Lamallari e Skënder Hita

Në një takim të mbajtur ditën e sotme në Kukës, ministri Besfort Lamallari së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pas Forumit për Siguri që u zhvillua në këtë qytet, cekën dhe ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Vlorë.

Në fjalën e tij Lamallari theksoi se me të marrë njoftimin për përplasje mes dy biznesmenëve, policia reagoi menjëherë duke bërë të mundur dhe arrestimin e disa prej autorëve. Ndërsa shtoi se hetimet po vijojnë për arrestimin e personave të tjerë, të cilët do të përballen me drejtësinë.

“Ajo çfarë do të them me bindje është reagimi i menjëhershëm i Policisë së Shtetit. Pati menjëherë persona të arrestuar, që janë në kërkim e  do vihen përballë drejtësisë. Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të ligjit për zbardhjen e plotë të ngjarjes” tha Lamallari.

Po ashtu dhe kryepolici Hita bëri me dije se po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe po merren parasysh pretendimet e të dyjave palëve për përplasjen e tyre.

“Në ngjarjen e Vlorës u angazhua menjëherë Policia, u bë i mundur arrestimi i disa prej autorëve. Deri në këto raste po vazhdojnë hetimet proceduriale. Po vazhdojnë hetimet zbardhjen e pretendimeve të të dy palëve” u shpreh kryepolici Hita.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe kryepolici Hita zhvilluan sot takim në Kukës, fokusi i të cili ishte siguria e qytetarëve si dhe garantimi i ambienteve sa më të sigurta për fëmijët.

Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm:

Policia ka qenë gjithmonë e angazhuar. Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje që, me marrjen e njoftimit, në momentin e parë u angazhuan shumë shpejt forcat policore. U bë i mundur ndalimi dhe kapja në flagrancë e disa prej autorëve, të cilët u vunë menjëherë nën masën e arrestit në flagrancë, dhe vazhdoi hetimi për orë të tëra dhe, në këto momente që jemi bashkë, vazhdojnë veprimet procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Është një ngjarje që vërtet ka marrë vëmendje të madhe, por nga ana e Policisë, edhe në deklaratën e parë që u dha dje nga drejtori vendor, vazhdon verifikimi i të gjitha pretendimeve të të gjitha palëve për kryerjen e veprimeve.

Ndërsa, për rastin e Kuçovës, vërtet ishte i drejtë shqetësimi për veprimet e punonjësve të Policisë, veçanërisht pasi ato ndodhën në sy të fëmijës. Prandaj, për këtë arsye, kemi bërë pezullimin e tyre nga detyra. Kur punonjësit e Policisë nuk kryejnë detyrën e tyre funksionale në përputhje me procedurat standarde, po marrim masa ndëshkimore sipas procedurave tona.

Kështu që, situata në përgjithësi e sigurisë paraqitet normale dhe ky takim sot këtu na vlejti për të marrë opinionin e gjithë qytetarëve, për të marrë pretendimet dhe ankesat, që do të gjejnë vëmendje të shtuar te punonjësit e Policisë, për zgjidhjen e të gjitha problematikave.

Është takim i vlefshëm për Policinë. Siç e keni parë edhe në komunikimet tona të mëparshme, kemi qenë më të hapur si me mediat, ashtu edhe me publikun dhe komunitetin. Këto takime, në këtë format, ku janë shefat e komisariateve, drejtorët vendorë dhe të gjitha strukturat e tjera, japin premisa që të zhvillohemi më shumë, të marrim më shumë feedback nga komuniteti dhe e gjithë kjo të kthehet në besim dhe siguri për të gjithë qytetarët.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese