Qendra e Preshevës – plaga urbane që duhet zgjidhur

Opinione

Qendra e Preshevës – plaga urbane që duhet zgjidhur

Nga: Nehat Hyseni Më: 4 shtator 2026 Në ora: 22:41
Nehat Hyseni

Qendra e një qyteti nuk është thjesht një hapësirë gjeografike e kufizuar në hartën urbanistike. Ajo është fytyra e qytetit, vendi ku qytetari e ndien më së drejtpërdrejti funksionalitetin e pushtetit lokal, kulturën urbane, kujdesin institucional dhe respektin që një shoqëri ka për hapësirën e përbashkët.

Për këtë arsye, gjendja e sotme e qendrës së Preshevës nuk mund të trajtohet si një problem i zakonshëm urbanistik. Ajo është bërë, fatkeqësisht, një simptomë e ngecjes së gjatë institucionale, e mungesës së një vizioni të qëndrueshëm dhe e paaftësisë për të përfunduar projekte që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve.

Çështja e rregullimit të qendrës së qytetit është një problem që, siç thotë populli, “ia vret syrin” çdo qytetari të Preshevës. Dhe nuk është fjala vetëm për estetikën.

Rrënojat e shëmtuara, hapësirat e degraduara, ngulfatja me mbeturina e bërdhog, infrastruktura e papërfunduar dhe, mbi të gjitha, lëvizja e pakontrolluar e qenve endacakë, krijojnë një mjedis që cenon jo vetëm pamjen e qytetit, por edhe sigurinë dhe dinjitetin e qytetarëve.

Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të pozitës së kësaj hapësire: ajo ndodhet mu përballë ndërtesës së Kuvendit Komunal dhe në afërsi të Xhamisë së Ibrahim Pashës, një prej pikave më të rëndësishme të jetës fetare dhe shoqërore të qytetit.

Kjo do të thotë se një nga hapësirat më të ekspozuara publike të Preshevës është shndërruar në një kontradiktë të dukshme midis potencialit urban dhe realitetit të përditshëm.

Një qendër qyteti që kërkon më shumë se asfalt dhe pllaka

Rregullimi i qendrës nuk duhet reduktuar në vendosjen e disa pllakave. Këto janë elemente të rëndësishme, por nuk përbëjnë në vetvete një politikë urbane. Një qendër moderne duhet të jetë një sistem i integruar hapësinor ku ndërthuren:

● arkitektura;

● gjelbërimi;

● hapësirat për këmbësorë;

● mobiliteti urban;

● ndriçimi;

● siguria;

● funksionet tregtare;

● trashëgimia kulturore;

● hapësirat për komunitetin;

● qasja për fëmijët dhe të moshuarit;

● mirëmbajtja dhe menaxhimi i vazhdueshëm.

Prandaj Presheva ka nevojë për një ndryshim konceptual: nga logjika e “ndërtimit të një projekti” te logjika e krijimit dhe menaxhimit të një qendre urbane funksionale.

Një problem i vjetër – që nuk filloi sot

Është e rëndësishme të kujtohet se problemi i rregullimit të qendrës së Preshevës nuk është i ri. Gjatë viteve 1995–1996, në kohën kur kryetar i Komunës së Preshevës ishte Riza Halimi, u ndërmorën hapa konkretë për gjetjen e një zgjidhjeje profesionale.

U angazhuan ekspertë nga Prishtina për të shqyrtuar mundësitë e rregullimit të kësaj hapësire dhe u përgatit një projekt.

Por në atë kohë ekzistonte një pengesë serioze: çështja pronësore.

Një pjesë e truallit ishte pronë komunale, ndërsa pjesa tjetër ishte në pronësi të disa pronarëve privatë. Në praktikë, fragmentimi pronësor e komplikonte çdo përpjekje për një zgjidhje të qëndrueshme urbanistike.

Sot, megjithatë, rrethanat duket se janë ndryshuar. Parcelat që dikur ishin në pronësi të disa personave tashmë janë përqendruar në duart e një pronari të vetëm. Kjo, nga këndvështrimi juridik dhe ekonomik, mund të krijojë një mundësi shumë më të favorshme për negociim. Dhe këtu lind një pyetje e arsyeshme:

Nëse pengesa kryesore pronësore është lehtësuar, pse të mos kërkohet një zgjidhje e re?

Nëse pronari është i gatshëm për bashkëpunim, ekziston mundësia që kjo hapësirë të zhvillohet përmes një modeli të partneritetit publiko-privat, natyrisht në përputhje me legjislacionin përkatës dhe pas një analize të plotë juridike, urbanistike dhe financiare.

Kjo do të ishte një zgjidhje interesante pikërisht sepse nuk do të mbështetej domosdoshmërisht në shpenzime të mëdha direkte nga buxheti komunal. Komuna do të mund të sillte në këtë partneritet tokën ose të drejtat që disponon, ndërsa investitori privat kapitalin dhe kapacitetin realizues, me një model të qartë për përfitimin publik.

Qendra para xhamisë – një problem edhe i sigurisë qytetare

Nuk mund të anashkalohet as dimensioni i sigurisë. Hapësirat e degraduara dhe rrënojat përballë ndërtesës së Kuvendit Komunal dhe pranë Xhamisë së Ibrahim Pashës nuk janë vetëm një problem estetik.

Në një mjedis ku lëvizin lirshëm qentë endacakë dhe ku hapësirat e rrënuara nuk janë të sistemuara, rreziku është veçanërisht shqetësues për fëmijët, të moshuarit dhe qytetarët që frekuentojnë rregullisht këtë pjesë të qytetit.

Në veçanti, rruga drejt xhamisë dhe hapësirat përreth saj përdoren nga qytetarë të moshave të ndryshme, sidomos gjatë faljeve dhe tubimeve fetare.

Një qytet që pretendon të jetë modern nuk mund ta konsiderojë normale që qytetari të kalojë nëpër qendrën e tij me frikën se mund të përballet me një tufë qensh endacakë apo me një hapësirë të rrezikshme të degraduar.

Kjo është çështje e sigurisë publike dhe përgjegjësisë institucionale.

Shatërvani: simbol i një projekti të lënë në gjysmë

Një tjetër element që kërkon ndërhyrje urgjente është shatërvani i qendrës. Një shatërvan në një hapësirë publike nuk është vetëm një objekt dekorativ. Ai mund të jetë element identifikues i sheshit, pikë orientimi dhe pjesë e mikroklimës urbane gjatë muajve të nxehtë.

Por një shatërvan i papërfunduar, i lënë jashtë funksionit, është krejt e kundërta: ai bëhet simbol i një projekti që nuk është çuar deri në fund.

Prandaj duhet ndërhyrë me një analizë teknike të menjëhershme: furnizimi me ujë, sistemi i qarkullimit, pompat, filtrimi, instalimet elektrike, ndriçimi dhe elementet e tjera teknike duhet të kontrollohen nga ekspertët.

Nëse është e mundur teknikisht dhe ekonomikisht, ai duhet të vihet në funksion.

Një qendër qyteti nuk duhet të presë vite për një ndërhyrje relativisht të vogël që mund t’i japë asaj jetë.

Veçanërisht gjatë muajve të verës, uji, gjelbërimi dhe hijëzimi mund të krijojnë një mikroambient dukshëm më të këndshëm për qytetarët. Nëse kjo hapësirë do të funksiononte siç duhet, qendra do të mund të bëhej një vend ku qytetarët nuk kalojnë vetëm për të kryer një punë, por ndalojnë, takohen, bisedojnë dhe jetojnë qytetin.

Kjo është ajo që i mungon një hapësire publike kur ajo trajtohet vetëm si projekt ndërtimor.

Nga Qendra te Pazari – rruga që u shndërrua në problem

Një nga ndërhyrjet më të diskutueshme në qendrën e Preshevës është edhe hapësira dhe rruga që lidh Qendrën me Pazarin.

Sipas të dhënave dhe vlerësimeve të paraqitura nga autori I këtij artikulli gjatë qeverisjes së Ragmi Mustafës për këtë projekt janë shpenzuar mbi gjysmë milioni euro, ndërsa ekspertë të angazhuar në atë kohë e kishin vlerësuar se kostoja reale e një ndërhyrjeje të tillë nuk do të duhej të kalonte rreth 200–220 mijë euro.

Nëse këto shifra janë të sakta dhe mund të dokumentohen përmes kontratave, faturave, situacioneve të punimeve dhe dokumentacionit tjetër zyrtar, atëherë kemi të bëjmë me një çështje që kërkon transparencë të plotë publike. Dallimi ndërmjet kostos së deklaruar dhe kostos së vlerësuar është tepër i madh për t’u kaluar në heshtje.

Por këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm.

Dyshimi nuk është provë.

Për këtë arsye, çdo pretendim për korrupsion, keqpërdorim ose përvetësim të parasë publike duhet të mbështetet në dokumentacion dhe të shqyrtohet nga organet kompetente.

Ajo që qytetari ka të drejtë të kërkojë, pavarësisht përkatësisë politike, është përgjigjja e thjeshtë: Sa kushtoi? Çfarë u kontraktua? Çfarë u ndërtua? Kush e mbikëqyri? Kush e pranoi punën? Dhe pse hapësira sot nuk e përmbush funksionin për të cilin u pagua?

Këto janë pyetje të ligjshme në çdo demokraci.

Një përvojë konkrete e Grupit EEE dhe CHF-it

Presheva ka pasur edhe më parë mundësi për të zhvilluar një koncept serioz urbanistik.

Gjatë viteve 2005–2006, në kuadër të Grupit EEE të CHF-it, program i mbështetur nga USAID-i amerikan, ku autori i këtij shkrimi ishte koordinator gjatë periudhës 2002–2008, u investuan rreth 50.000 dollarë amerikanë për projektimin e rregullimit të hapësirës nga Qendra deri te Pazari.

Ky nuk ishte një projekt i improvizuar. Për ishte interesuar një agjenci amerikane nga Nju Jorku me përvojë në projekte të rëndësishme të planifikimit dhe rregullimit urban në Evropë dhe në qendra të tjera të mëdha botërore.

Në kuadër të këtij procesi, përfaqësuesit e agjencisë erdhën katër herë në Preshevë. Së bashku me Grupin EEE dhe stafin e zyrës së CHF-it, u dol në terren. U bënë matje, incizime dhe analiza të hapësirës.

Por, ndoshta edhe më e rëndësishmja, u përfshinë qytetarët që jetonin dhe vepronin në atë pjesë të qytetit. Kjo është pikërisht mënyra moderne e planifikimit urban. Qyteti nuk projektohet vetëm nga arkitekti. Qyteti projektohet edhe me qytetarin.

Qytetari si bashkëhartues i hapësirës publike

Me angazhimin e Arian Shabanit, atëherë anëtar i stafit të zyrës së CHF-it, u organizuan diskutime publike me banorët e kësaj zone.

Qytetarët dhanë ide, propozime dhe sugjerime.

Disa prej tyre i paraqitën edhe me shkrim, me vizatime dhe skica.

Kjo përvojë kishte një rëndësi të veçantë sepse tregonte se planifikimi urban mund të bëhej përmes pjesëmarrjes qytetare, jo vetëm përmes vendimeve administrative. Një qytetari që jeton çdo ditë në një hapësirë i di problemet e saj ndonjëherë më mirë se çdo ekspert që e viziton për një ditë. Ai e di ku grumbullohet uji. Ai e di ku nuk ka ndriçim. Ai e di ku parkohen automjetet. Ai e di ku ecin fëmijët. Ai e di ku bllokohet qarkullimi. Dhe ai e di se cilat hapësira mund të shndërrohen në vende të bukura për komunitetin.

Prandaj konsultimi publik nuk është dekor demokracie. Është instrument profesional i planifikimit.

Kur projektet varen nga politika

Fatkeqësisht, edhe kjo përpjekje u ndërpre. Me ndryshimin e pushtetit lokal dhe largimin e Riza Halimit nga drejtimi i komunës, projekti dhe puna e zhvilluar në kuadër të Grupit EEE dhe CHF-it nuk u vazhduan.

Këtu qëndron një nga problemet më të mëdha të qeverisjes lokale në Preshevë dhe më gjerë: projektet institucionale shpesh identifikohen me njerëzit që i kanë nisur ato.

Në vend që projekti të konsiderohet pronë e qytetit, ai konsiderohet projekt i një kryetari, një partie ose një administrate.

Kur ndryshon pushteti, ndryshon edhe qasja.

Kjo është një dobësi serioze e kulturës së qeverisjes.

Një rrugë, një shesh, një shkollë, një zonë industriale apo një plan urbanistik nuk i përket kryetarit që e ka nisur. I përket qytetit!

Prandaj një administratë e re duhet të ketë të drejtë të rishikojë një projekt të vjetër, por nuk duhet ta braktisë atë vetëm sepse është trashëgimi e një administrate tjetër.

Nëse projekti është i mirë, duhet vazhduar, dhe nese është i dobët, duhet korrigjuar. Nëse është i gabuar, duhet zëvendësuar me një alternativë më të mirë. Ky është parimi i vazhdimësisë institucionale.

Presheva nuk ka nevojë për një qendër “të bukur” vetëm në fotografi

Në epokën e rrjeteve sociale, ekziston tundimi që projektet urbane të maten me fotografitë e inaugurimit. Një shesh duket bukur ditën e inaugurimit. Por qyteti jeton aty për dhjetëra vjet. Pyetja e vërtetë është: Si duket pas pesë vjetësh?

A funksionon ndriçimi? A punon shatërvani?

A mirëmbahen pemët? A janë të pastra trotuaret? A janë të sigurta trotuaret dhe rrugët?

A mund të kalojë një person me karrocë fëmije?

A mund të ulet një i moshuar? A ka hapësirë për të rinjtë?b A mund të zhvillohen aktivitete kulturore? A ka vend për bizneset lokale?

Këto janë kriteret me të cilat duhet matur suksesi i një projekti urban.

Një vizion i ri për “zemrën” e Preshevës

Presheva ka nevojë për një Masterplan të ri për Qendrën, ose për rishikim serioz të planeve ekzistuese, i cili duhet të përfshijë të gjithë hapësirën nga ndërtesa e Kuvendit Komunal dhe Xhamia e Ibrahim Pashës, përmes sheshit dhe shatërvanit, deri te Pazari.

Ky plan duhet të ndërtohet mbi disa shtylla.

1. Zgjidhja e pronësisë

Duhet të bëhet një inventar i plotë i parcelave, pronarëve dhe statusit juridik.

Nëse ekziston mundësia e një marrëveshjeje me pronarin aktual, ajo duhet shqyrtuar seriozisht.

2. Partneriteti publiko-privat

Duhet të analizohet mundësia që hapësira të zhvillohet përmes një modeli transparent të partneritetit publiko-privat, duke garantuar interesin publik dhe përfitimin e komunitetit.

3. Siguria

Rrënojat dhe hapësirat e rrezikshme duhet të eliminohen.

Problemi i qenve endacakë duhet të trajtohet në mënyrë sistematike, humane dhe ligjore, jo vetëm kur ndodh ndonjë incident.

4. Gjelbërimi dhe mikroklima

Presheva ka nevojë për më shumë gjelbërim, pemë, hije dhe hapësira të pushimit.

5. Shatërvani

Duhet të përfundojë teknikisht dhe të vihet në funksion nëse analiza teknike e konfirmon fizibilitetin.

6. Lidhja Qendër–Pazar

Kjo hapësirë duhet të rikonstruktohet mbi bazën e një projekti të plotë urbanistik dhe jo përmes ndërhyrjeve të pjesshme.

7. Pjesëmarrja qytetare

Banorët, bizneset, arkitektët, urbanistët dhe shoqëria civile duhet të kenë mundësi të japin mendime dhe propozime.

8. Transparenca financiare

Çdo euro e investuar duhet të jetë e dokumentuar dhe e kuptueshme për publikun.

Qendra si pasqyrë e shtetit ligjor

Qyteti është vendi ku qytetari e përjeton shtetin në mënyrën më konkrete. Ai nuk e përjeton shtetin vetëm përmes kushtetutës apo ligjeve.

E përjeton kur ecën në trotuar. Kur kalon një rrugë. Kur hyn në një park që realisht tani nuk ekziston.

Kur dërgon fëmijën në shkollë. Kur shkon në xhami. Kur viziton tregun. Kur kërkon një shërbim në komunë.

Prandaj gjendja e qendrës së Preshevës është edhe një çështje e cilësisë së qeverisjes. Një administratë publike serioze nuk duhet vetëm të ndërtojë. Duhet të planifikojë, të mbikëqyrë, të mirëmbajë dhe të japë llogari.

Një thirrje përtej ndarjeve politike

Presheva ka kaluar shumë vite në konflikte politike, ndryshime pushtetesh dhe përplasje partiake. Por qyteti nuk mund të presë që politika të zgjidhë gjithçka. Për disa probleme duhet një marrëveshje minimale qytetare.

Rregullimi i qendrës mund të jetë pikërisht një prej tyre.

Duhet të bëhet një pakt urban për Preshevën, ku partitë, institucionet, bizneset, ekspertët dhe qytetarët do të pajtoheshin se disa projekte janë mbi mandatin katërvjeçar.

Qendra e qytetit është një prej tyre.

Zona Industriale është një tjetër.

Infrastruktura themelore është një tjetër.

Këto nuk duhet të ndryshojnë sa herë ndryshon pushteti.

Përfundim: qyteti nuk duhet të pajtohet me të shëmtuarën!

Rrënojat përballë Kuvendit Komunal, hapësira e degraduar pranë Xhamisë së Ibrahim Pashës, shatërvani i papërfunduar, rruga problematike drejt Pazarit dhe projektet e ndërprera nuk janë thjesht episode të veçuara.

Ato janë pjesë e një historie më të gjerë të mundësive të humbura urbanistike.

Presheva ka pasur ekspertë. Ka pasur projekte.

Ka pasur mbështetje ndërkombëtare. Ka pasur qytetarë të gatshëm të kontribuojnë. Ka pasur edhe mundësi financiare.

Ajo që ka munguar më së shumti ka qenë vazhdimësia institucionale dhe vullneti për ta çuar deri në fund një vizion të përbashkët.

Sot kemi mundësi ta ndryshojmë këtë. Në vend të pyetjes se kush e ka nisur një projekt, duhet të pyesim se a i shërben ai qytetit?

Në vend të pyetjes se cila parti e ka bërë, duhet të pyesim a është bërë mirë?

Në vend të inaugurimeve të njëpasnjëshme, duhet të kërkojmë funksionalitet dhe mirëmbajtje.

Dhe në vend që të mësohemi me rrënojat, mbeturinat dhe kaosin, duhet ta rikthejmë standardin e një qyteti që respekton veten.

Presheva nuk ka nevojë për luks urban. Presheva ka nevojë për dinjitet urban!

Një qendër e rregulluar, e gjelbëruar, e ndriçuar, e sigurt dhe funksionale do të ishte shumë më tepër se një investim në gurë, beton e pllaka.

Do të ishte një investim në imazhin e qytetit, në mirëqenien e qytetarëve, në ekonominë lokale dhe në besimin e njerëzve te institucionet.

Dhe ndoshta pikërisht këtu duhet të fillojë një kapitull i ri për Preshevën: ta kthejmë “zemrën” e qytetit nga një hapësirë që sot na shqetëson në një hapësirë për të cilën nesër do të krenohemi.

Sepse një qytet që e respekton qendrën e vet, tregon se e respekton edhe qytetarin e vet!

Preshevë, 4 shtator 2026

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat