Argjentina përshkallëzon përplasjen për Ishujt Falkland, paralajmërohen sanksione ndaj kompanive të naftës

Amerika

Argjentina përshkallëzon përplasjen për Ishujt Falkland, paralajmërohen sanksione ndaj kompanive të naftës

Më: 5 shtator 2026 Në ora: 13:28
Javier Milei

Argjentina ka nisur procedurat për hetimin e 45 kompanive dhe individëve të dyshuar se janë të përfshirë në projekte të kërkimit dhe shfrytëzimit të hidrokarbureve pranë Ishujve Malvinas, të njohur si Ishujt Falkland në Britani.

Vendimi vjen pas deklaratave të forta të presidentit argjentinas Javier Milei, i cili paralajmëroi masa më të ashpra ndaj aktiviteteve të naftës dhe gazit në zonën përreth arkipelagut, mbi të cilin Argjentina dhe Mbretëria e Bashkuar kanë pretendime të kundërta për sovranitetin.

Mediat e huaja bëjnë me dije se, hetimi synon të përcaktojë përgjegjësinë për aktivitete që Buenos Aires i konsideron të paligjshme në shelfin e saj kontinental. Masat mund të përfshijnë jo vetëm kompanitë e përfshira drejtpërdrejt, por edhe aksionarët e tyre dhe subjektet që u ofrojnë shërbime.

Mes subjekteve të dyshuara raportohet se ka kompani me lidhje me Britaninë, Kanadanë, Danimarkën, Shtetet e Bashkuara, Holandën dhe Izraelin. Çështja e Ishujve Malvinas e Falkland mbetet një nga temat më të ndjeshme në Argjentinë. Në vitin 1982, dy vendet u përfshinë në një luftë 74-ditore për kontrollin e ishujve, ku humbën jetën 649 ushtarë argjentinas dhe 255 britanikë.

Përplasja diplomatike është tensionuar më tej pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka lënë të hapur mundësinë e rishikimit të qëndrimit amerikan ndaj çështjes. Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka përsëritur qëndrimin se Ishujt Falkland janë dhe do të mbeten britanikë, duke theksuar se mbështetja për banorët e ishujve dhe angazhimi ndaj tyre mbeten të palëkundura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat