Bylbyl Sokoli flet për Superligën, stadiumet, tifozët dhe investimet në sport

Futboll

Bylbyl Sokoli flet për Superligën, stadiumet, tifozët dhe investimet në sport

Më: 5 shtator 2026 Në ora: 13:50
Bylbyl Sokoli

Trajneri dhe analisti i njohur i futbollit kosovar, Bylbyl Sokoli, ka folur për zhvillimet në futbollin kosovar, garën në Superligë, infrastrukturën sportive, Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, projektin “Ndriçojmë Futbollin”, si dhe investimet në sport.

Në intervistën e tij, për kp, Sokoli ka komentuar ekipet që pritet të luftojnë për kreun e tabelës, skuadrat që mund të jenë në luftë për mbijetesë, gjendjen e stadiumeve dhe nevojën për një infrastrukturë sportive që i përshtatet Kosovës.

Duke folur për garën në elitën e futbollit kosovar, Sokoli ka vlerësuar se është ende herët për të dhënë një verdikt përfundimtar, por ka përmendur disa prej skuadrave që sipas tij kanë potencial për të luftuar për titull.

“Po në saj të zhvillimeve, në saj të përgatitjeve që i kanë bërë më herët, unë mendoj që për kreun e tabelës do të luftojnë Drita si ish-kampion, Ballkani, Malisheva si nënkampion pastaj është Ballkani, Prishtina, Gjilani mund të kem harruar ndonjë emër tash të kësaj pjesës së sipërme. Por, jam i sigurt që këto ekipe do të jenë pretendente për titull, me vetë faktin që kanë pasur përforcime të mira, përgatitje me kohë. Dhe këtu duhet me dalluar Gjilanin, i cili ka sjellë në përbërje shumë lojtarë me emër të madh. Po ashtu nuk kanë lënë asgjë mangët as Prishtina, as Ballkani, as Malisheva. Dhe këto ekipe pak a shumë të barabarta, i thashë, 5-6 ekipe, besoj se do të luftojnë për vetë kreun e tabelës. Kurse lufta për ekzistencë do të jetë e atyre ekipeve të cilat më pak kanë pasur kohë me u përgatit. E aty është Vushtrria, është Feronikeli por, Drenica të gjitha këto, të tria këto ekipe, kanë arritur që të konsolidohen. Dhe unë duke e pasur parasysh traditën e Vushtrrisë, traditën e Drenicës, traditën e Feronikelit. Feronikeli ishkampion, Drenica një ekip shumë stabil, Vushtrria një qytet që e don futbollin, jam i sigurt që do të organizohen edhe do të dalin prej krizës aktuale”, tha Sokoli.

Sokoli ka folur edhe për përgatitjet infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke theksuar se nuk ka arsye për panik dhe se pjesa më e madhe e objekteve sportive mund t’i plotësojë kriteret.

Sipas tij, prioritet duhet të jetë stadiumi “Adem Jashari”, në Mitrovicë, veçanërisht për shkak të mundësisë së zhvillimit të garave të atletikës.

“Nuk janë Lojërat Mesdhetare si Lojërat Olimpike. Edhe pak si me panik ‘jo, s’kemi me plotësu kushtet’. Janë të gjitha të gatshme. Cili stadium duhet të rregullohet? Unë mendoj se duhet të rregullohet stadiumi Adem Jashari, me shtegun e atletikës, ku do të ketë disiplinat e atletikës të jenë prezent. Çka tjetër duhet të jetë e gatshme? Disa terrene të cilat për sporte specifike, si kalërimi, si kurse edhe disa sporte të tjera. Do të jenë të gatshme dhe nuk duhet shumë panik rreth kësaj, sepse unë mendoj që thuajse 89 për qind të objekteve sportive janë, thuajse i plotësojnë kriteret. Por ato duhet përgatitur në disa standarde, e duhet të rregullohet fshati olimpik, siç thuhet, ku do të strehohen sportistët, sepse pritet të jenë diku 15 mijë sportistë”, thotë ai.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte projekti i Federatës së Futbollit të Kosovës, “Ndriçojmë futbollin”.

Sokoli e ka vlerësuar si hap pozitiv ndriçimin e stadiumeve, por ka theksuar se për rritjen e numrit të tifozëve nevojiten edhe faktorë të tjerë, nga rivaliteti dhe gjykimi, deri te infrastruktura përcjellëse e stadiumeve. 

“Për shtimin e tifozëve nevojiten shumë faktorë. Njëri prej faktorëve edhe kjo pjesa e infrastrukturës që po e përmendi. Dhe unë po shpresoj që numri i tifozërisë të rritet në ndeshjet që zhvillohen në mbrëmje. Është mirë që po ndriçohen stadiumet. Por, a do ta shtojë numrin e tifozërisë? Nuk jam shumë i sigurt, sepse për shtimin e tifozërisë nevojitet më shumë rivalitet, një garë me rivalitet, nevojitet më shumë referim më cilësor, sepse dinamika e lojës varet prej ndarjes së drejtësisë, e cila ka shumë probleme në futbollin tonë. Më pas, është ajo infrastruktura tjetër që nevojitet: parkimi pranë stadiumeve, pastaj shërbimi gjatë ndeshjes nevojitet krijimi i një atmosfere miqësore, relaksuese, që në stadium të ketë anim të mirë e që ne e kemi traditë. Tifozëritë tona janë shumë në nivel, me pankarta dhe slogane shumë kreative, që është me rëndësi. Duhet t’u iket sa më shumë atyre shok-bombave, edhe atij tymit, sepse kjo është e ndaluar me FIFA, UEFA”, shtoi Sokoli.

Në fund, Sokoli ka folur për angazhimin e tij në politikë dhe kontributin që synon t’i japë sportit.

Ai ka ngritur shqetësimin për kostot e mirëmbajtjes së stadiumeve të mëdha, duke argumentuar se Kosova ka nevojë për objekte sportive që përputhen me numrin e tifozëve, klubeve dhe kapacitetet financiare për mirëmbajtje.

“Angazhimi im në politikë ka qenë kryesisht i natyrës ndihmës profesionale që duhet me i dhënë sportit. Kjo është e rëndësishmja. Duhet me pasë parasysh disa kritere të cilat janë të domosdoshme për sport. Ju keni parë që kemi stadiumin Adem Jashari mbi 10 mijë shikues, kemi stadiumin Rexhepi në Drenas, më duket mbi 10 mijë, kemi në Gjakovë mbi 10 mijë po ndërtohet stadiumi në Gjilan, po ashtu 10 mijë shikues, po ndërtohet në Gjakovë thashë në Prizren po ashtu. Të krejt janë të kategorisë së katërt. Neve nuk na nevojiten shumë stadiume sepse, po e shihni, numri i tifozërisë është shumë i vogël në stadiume. Neve na nevojiten stadiume nga pesë-gjashtë mijë, shtatë mijë shikues, për shkak të kostos së mirëmbajtjes. Forca jonë nuk është aq e madhe për me e mirëmbajt një stadium, sepse stadiumi me 10 mijë shikues, mbi 10 mijë shikues për mirëmbajtje shkon tre deri në pesë milionë euro. Kështu janë parametrat që po thonë. Dhe në qoftë se kemi 10 stadiume neve në vit na nevojiten 30-50 milionë euro për mirëmbajtje, që për një shtet të vogël me një milion e shtatë-tetë mijë banorë është vërtet kafshatë e madhe për me e mirëmbajt. Kjo është sportit, futbollit tonë i nevojitet infrastruktura e cila është në përputhje me numrin e popullsisë, me numrin e tifozëve, me numrin e klubeve, dhe me fuqinë, kapacitetet tona të mirëmbajtjes. Jo me ndërtuar stadiume sipas dëshirës, sepse në një ndeshje mund të mbushen stadiumit, 10-12 mijë kurse në pesë ndeshje është totalisht i zbrazët. Domethënë, këto duhet me i pasë parasysh. Dhe kontributi im si profesionist ka qenë, para së gjithash, të shkoj në këtë drejtim”, përfundoi ai.

Sokoli dha këndvështrimin e tij për të ardhmen e futbollit kosovar, duke kërkuar më shumë planifikim, investime të qëndrueshme dhe një infrastrukturë sportive që i përgjigjet nevojave reale të futbollit dhe sportit në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat