Kategoria e Parë pritet të dhurojë një sezon të fortë dhe të rivalizuar, ndërsa Kukësi ka vendosur të vendosë një stimul të rëndësishëm financiar që në start. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se presidenca e verilindorëve ka akorduar 10 mijë euro premio për 9 pikë të grumbulluara në 4 ndeshje radhazi.
Kjo premio do të jetë në fuqi gjatë gjithë sezonit dhe do të akordohet sa herë që skuadra arrin këtë objektiv.
Por shpërblimi më i madh është rezervuar për objektivin final.
Për rikthimin në Superiore është vendosur një premio prej 100 mijë eurosh. Kukësi ra nga elita dy vite më parë dhe tashmë synon rikthimin mes më të mirëve. Hapi i parë drejt këtij objektivi nis sot ndaj Besëlidhjes në “Kukës Arena”, ku verilindorët kërkojnë ta nisin kampionatin me fitore.
Në prag të startit, trajneri Bledi Kadiu ka theksuar se skuadra duhet të fokusohet te çdo ndeshje, pa dalë nga objektivi madhor. “Si trajner, objektivin kryesor e kam grupin dhe harmoninë.
Duam të fitojmë çdo ndeshje, me çdo kundërshtar, duke e marrë sfidën e radhës. Objektivat e klubit do të shihen edhe në vazhdimësi.
Normalisht, për Kukësin objektivi mbetet ngjitja në Superiore, sepse një ekip me traditë dhe emër e ka vendin në elitë. Rëndësi ka t’i marrim ndeshjet një nga një, duke realizuar objektiv pas objektivi”, deklaroi Kadiu.