Tadej Pogaçar do të vazhdojë bashkëpunimin me ekipin nga Emiratet, i cili nisi në vitin 2019. UAE Team Emirates-XRG ka zyrtarizuar vazhdimin e kontratës së kampionit slloven deri në vitin 2032.
“Që nga fillimi, kjo skuadër ka qenë si një shtëpi për mua. Jemi rritur së bashku ndër vite dhe kemi ndarë momente të jashtëzakonshme, ndaj jam shumë i lumtur”, deklaroi Pogaçari.
Në të njëjtën kohë me njoftimin për rinovimin, UAE konfirmoi se sezoni i Pogaçarit ka përfunduar pas rrëzimit të tij në Vuelta a Espana.
“Gjithçka që ka rëndësi tani është të rikuperohem plotësisht dhe t’i jap trupit tim kohën e nevojshme”, tha Pogaçari.
Për pasojë, ai nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror në Kanada, ku ishte kampion në fuqi, si dhe do të mungojë në Giro di Lombardia, pas pesë fitoreve radhazi në këtë garë.
Pogacari e mbyll vitin 2026 me fitore në Strade Bianche, Milano-Sanremo, Tour of Flanders dhe Liège-Bastogne-Liege. Më pas triumfoi edhe në Tour de Romandie dhe Tour de Suisse, përpara se të fitonte për herë të pestë Tour de France.
Për vitin 2027, objektivat e tij janë të qarta: fitorja e parë në Paris-Roubaix dhe triumfi i gjashtë në Tour de France, diçka që deri tani askush nuk e ka arritur në historinë e garës.
“Kam ende shumë për të arritur në këtë sport dhe besoj se ky është vendi i duhur për ta bërë këtë”, u shpreh kampioni slloven.