Mbyllja e merkatos së verës nuk i ka dhënë fund lëvizjeve në futboll. Një numër i konsiderueshëm lojtarësh të njohur kanë mbetur pa kontratë dhe mund të firmosin me klubet edhe pas përfundimit të afatit zyrtar të transferimeve.
Në listën e emrave më të njohur bëjnë pjesë Jadon Sancho, Paul Pogba dhe Dele Alli, të gjithë futbollistë që në periudha të ndryshme kanë pasur vlera shumë të larta në treg dhe kanë qenë protagonistë në klubet më të mëdha të Europës.
Sancho është një nga rastet më interesante. Sulmuesi anglez ka kaluar periudha të vështira pas largimit nga Borussia Dortmund dhe nuk ka arritur të stabilizohet te Manchester United. Pas eksperiencave të fundit, ai tashmë është në kërkim të një klubi të ri ku mund të rifillojë karrierën.
Edhe Paul Pogba është në të njëjtën situatë. Ish-mesfushori i Manchester United dhe Juventusit ka kaluar një periudhë jashtëzakonisht të komplikuar, por emri i tij vazhdon të ketë peshë në treg.
Lista përfshin edhe Dele Allin, i cili dikur konsiderohej një nga talentet më të mëdha të futbollit anglez. Karriera e tij ka pësuar një rënie të fortë vitet e fundit dhe tashmë ai duhet të gjejë një klub që t'i japë mundësinë për t'u rikthyer në nivelet e mëparshme.
Sipas Sky Sports, lista përfshin edhe emra të tjerë me përvojë të madhe, përfshirë lojtarë që kanë fituar Champions League, kampionate kombëtare dhe trofe ndërkombëtarë. Kjo e bën tregun e lojtarëve të lirë një mundësi interesante për klubet që kanë ende nevojë për përforcime.