Shën Nënë Tereza ndërmjet historisë dhe kujtesës sonë të përjetshme

Kultura

Shën Nënë Tereza ndërmjet historisë dhe kujtesës sonë të përjetshme

Nga: Lekë Mrijaj Më: 5 shtator 2026 Në ora: 15:23
Nëna Terezë

Në 29-vjetorin e kalimit në amshim të Shën Nënë Terezës dhe më 5 shtator, në ditën e festës së saj liturgjike, kujtesa më rikthen te njëra prej figurave më të mëdha shpirtërore dhe humanitare që populli shqiptar i ka dhënë njerëzimit. Më 5 shtator 1997, në Kalkutë, përfundoi udhëtimi tokësor i Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, por jo prania e saj në ndërgjegjen e botës. Njëzet e nëntë vjet më vonë, emri, vepra dhe mesazhi i saj vazhdojnë të jetojnë si dëshmi se madhështia njerëzore nuk matet me pushtetin që zotërojmë, por me dashurinë që jemi të aftë t’ua dhurojmë të tjerëve.

Në këtë përvjetor, rikthimi te pesë vizitat e saj në Kosovë merr për mua kuptimin e një homazhi, por njëkohësisht edhe të një detyrimi ndaj kujtesës. Duke rilexuar dokumentimin e ruajtur, monografitë, kronikat kishtare, shtypin e kohës dhe dëshmitë e atyre që e takuan, bindem edhe më shumë se prania e saj në Kosovë nuk duhet parë vetëm përmes emocionit përkujtimor. Ajo ka një bazë të shkruar dhe fotografike që na lejon ta rindërtojmë me data, vende, emra dhe ngjarje konkrete.

Historia e marrëdhënieve të Shën Nënë Terezës me Kosovën nuk mund të mbyllet në një varg të ftohtë datash. Ajo është histori kthimesh, takimesh, kujtimesh dhe dëshmish. Brenda saj gjenden Letnica, Prizreni, Ferizaj, Gjakova, Binça, Prishtina, Zllakuqani dhe Peja; gjenden klerikë, intelektualë, drejtues institucionalë, gazetarë dhe mijëra qytetarë që e panë, e dëgjuan apo patën rastin ta takonin.

Në këtë drejtim, një pikëmbështetje e rëndësishme është dokumentimi i Don Lush Gjergjit. Në shkrimin e tij “Pesë vizitat e Shën Nënë Terezës në Kosovë”, botuar në Drita më 6 nëntor 2022, ai e përmbledh kronologjinë e pesë ardhjeve të saj: 1970, 1978, 1980, 1982 dhe 1986. Kjo kronologji plotësohet nga të dhënat më të zgjeruara që ai kishte sjellë më herët në monografinë Nëna jonë Terezë, botimi i dytë, Prishtinë, “Drita”, 1990.

Vizita e parë u zhvillua më 9–12 korrik 1970. Në faqet 233–235 të Nëna jonë Terezë gjenden të dhëna për këtë ardhje, gjatë së cilës Nënë Tereza vizitoi Prizrenin, Letnicën, Ferizajn dhe Gjakovën, ndërsa itinerari i saj më i gjerë lidhej edhe me Shkupin, qytetin ku kishte lindur Gonxhe Bojaxhiu.

Gjatë kësaj vizite ajo u takua me ipeshkvinjtë Imzot Joakim Herbutin dhe Imzot Nikë Prelën. Ndër njerëzit që e shoqëruan ishte Mons. Nikollë Mini, famullitari i atëhershëm i Prizrenit dhe kushëri i saj. Po në dokumentimin që lidhet me këtë vizitë ruhet edhe biseda-intervistë që Mons. Nikollë Mini zhvilloi me Nënë Terezën në Prizren, më 12 korrik 1970.

Letnica kishte për të një domethënie që tejkalonte gjeografinë. Ajo lidhej me vitet e rinisë së Gonxhe Bojaxhiut dhe me horizontin shpirtëror brenda të cilit ishte pjekur thirrja e saj rregulltare. Prandaj kthimin e saj atje e lexoj edhe si rikthim te një prej burimeve të jetës së saj shpirtërore. Gruaja që kishte shkuar në skajet e botës për t’u shërbyer të varfërve po kthehej në një vend që ruante gjurmët e vajzërisë dhe të kërkimit të saj të hershëm për Zotin.

Vizita e dytë u zhvillua më 28–30 mars 1978. Për këtë periudhë, faqet 235–249 të monografisë Nëna jonë Terezë sjellin të dhëna që, të lexuara krahas dokumentimit të mëvonshëm të Don Lush Gjergjit, na çojnë në Ferizaj, Prizren, Letnicë dhe Shkup.

Ajo pati takime me klerin dhe popullin. Në Shkup mori pjesë në Meshën në barakën e “Bitpazarit”, ku ndodheshin ipeshkvinjtë Imzot Joakim Herbuti dhe Imzot Nikë Prela, si dhe zhvilloi një bisedë për Televizionin e Shkupit. Fotografitë e kohës e paraqesin pranë Don Lush Gjergjit dhe Don Tomë Pjetrit.

Një prej pamjeve më domethënëse të kësaj vizite e paraqet Nënë Terezën me Don Lush Gjergjin në Letnicë, duke kënduar këngën kushtuar Zojës së Letnicës, “N’Cernagore kem nji Nanë”. Në atë fotografi, për mua, takohen dy përmasa të së njëjtës jetë: Nënë Tereza e njohur tashmë përtej kufijve dhe Gonxhe Bojaxhiu e lidhur me kujtesën shpirtërore të këtyre trojeve.

Vizita e tretë, më 26–29 qershor 1980, zë një hapësirë edhe më të gjerë në dokumentimin e Don Lush Gjergjit, në faqet 249–279 të Nëna jonë Terezë. Ajo kishte një peshë të veçantë publike, sepse vetëm disa muaj më parë, më 10 dhjetor 1979, Nënë Tereza kishte marrë në Oslo Çmimin Nobel për Paqe.

Në Shkup u nderua si “Qytetare Nderi”, u takua me kryetarin e qytetit, Metodi Antonov, dhe me Vasil Tugjarovin, vizitoi varrin e babait të saj, Kolë Bojaxhiut, si dhe jetimoren e qytetit.

Më pas udhëtimi vazhdoi në Kosovë. Në Binçë dokumentohet prania e saj në Kishën e Shën Ndout, duke lutur Rruzaren së bashku me besimtarët. Në Letnicë, më 28 qershor 1980, fotografitë e kohës e paraqesin me Imzot Joakim Herbutin dhe Imzot Nikë Prelën.

Në Prishtinë u prit nga përfaqësues të institucioneve të atëhershme të Krahinës së Kosovës dhe u takua, ndër të tjerë, me Bahri Oruçin dhe Pajazit Nushin. Dokumentacioni fotografik ruan takimin me Bahri Oruçin, ndërsa kujtesa mediatike ka ruajtur edhe intervistën e gazetarit Avni Spahiu.

Këto të dhëna, kur lexohen së bashku, tregojnë diçka më shumë sesa një itinerar. Nënë Tereza nuk pritej vetëm nga kleri dhe besimtarët. Personaliteti i saj kishte kapërcyer kufijtë konfesionalë dhe kishte hyrë në hapësirën institucionale, kulturore dhe mediatike. Murgesha katolike shqiptare ishte bërë një autoritet moral me përmasa botërore.

Por për mua, ndër pesë ardhjet e saj, vizita e katërt mbetet më e afërta.

Më 22–23 tetor 1982, itinerari i saj përfshinte Shkupin, Letnicën, Ferizajn, Prizrenin, Zllakuqanin dhe Pejën. Pikërisht këtu dokumentimi i përgjithshëm për Nënë Terezën takohet me një burim të rëndësishëm vendor dhe, njëkohësisht, me kujtesën time personale.

Më 22 tetor 1982, Nënë Tereza mbërriti në Zllakuqan të Klinës, në Lugun e Drinit. Për këtë ndalesë kemi një dëshmi të shkruar me rëndësi të posaçme: monografinë e Don Lush Sopit, Famullia e Zllakuqanit, botuar në Zllakuqan më 1997 me rastin e 100-vjetorit të themelimit të famullisë. Pikërisht në faqet 121–123 të kësaj monografie dokumentohen pritja, atmosfera dhe fjalët e shkëmbyera atë ditë.

Këto tri faqe, sipas meje, kanë një peshë të veçantë për historinë vendore, sepse nuk flasin për Zllakuqanin nga larg, por nga brenda kujtesës së vetë famullisë dhe të bashkësisë që e priti Nënë Terezën.

Atë e priti Don Mark Sopi, famullitari i atëhershëm. Edhe fjalët e mirëseardhjes së tij dhe mesazhi i Nënë Terezës ruhen në faqet 121–123 të kësaj monografie. Don Mark Sopi e paraqiti ardhjen e saj si dëshmi të dashurisë së krishterë dhe misionin e saj si shembull shërbimi ndaj Zotit dhe njeriut.

Fjala e Nënë Terezës ishte e thjeshtë dhe në përputhje me spiritualitetin që e karakterizonte. Ajo shprehu gëzimin që ndodhej mes njerëzve të Zllakuqanit, kërkoi lutje për veten, për Misionaret e Dashurisë dhe për të varfrit, ndërsa mesazhin e përqendroi te Zoti, familja, Rruzarja, paqja dhe përkujdesja ndaj njerëzve në nevojë.

Kësaj dëshmie të shkruar i bashkohet edhe kujtimi retrospektiv i Don Fran Sopit, i cili në atë kohë ishte kapelan pranë famullitarit Don Mark Sopi. Në shkrimin e tij “Shën Nënë Tereza, drita që lindi 115 vite më parë”, të 26 gushtit 2025, ai rikthen në kujtesë pritjen dhe shoqërimin e Nënë Terezës në Zllakuqan, udhëtimin drejt Kishës Katolike “Shën Katarina e Aleksandrisë” në Pejë dhe më tej deri në Han të Elezit.

Kështu, për të njëjtën ngjarje kemi disa shtresa kujtese: monografinë vendore, dëshminë e një meshtari që ishte i pranishëm, fotografinë dhe kujtesën personale. Fotografia ruan fytyrat dhe çastin; kronika e shkruar ruan rrethanat dhe fjalët; dëshmitari sjell përjetimin njerëzor.

Pikërisht këtu historia e dokumentuar takohet edhe me kujtesën time personale.

Atë 22 tetor 1982, mes shumë lugdrinasve që kishin dalë për ta pritur Nënë Terezën në Zllakuqan, isha edhe unë, së bashku me gjyshin tim Markun dhe djemtë e axhës. Ndërsa kalonte mes njerëzve, ajo u afrua dhe më preku.

Ishte një gjest i shkurtër dhe krejt i natyrshëm, të cilin e ruaj në kujtesë pa i shtuar fjalë apo kuptime që koha mund t’i zbukurojë.

Për mua, 22 tetori 1982 mbetet njëkohësisht datë e dokumentuar dhe ditë e jetuar. Është një prej atyre çasteve kur historia e madhe hyn pa zhurmë në historinë personale të njeriut. Atëherë nuk mund ta dija se çfarë peshe do të merrte me kalimin e viteve ai takim i shkurtër. Sot, kur Nënë Tereza i përket historisë shpirtërore të njerëzimit dhe nderohet si shenjtëreshë e Kishës Katolike, ai çast mbetet për mua një kujtim që nuk ka nevojë për zbukurime.

Pas Zllakuqanit, Nënë Tereza vazhdoi drejt Pejës. Burimet kishtare dhe dokumentacioni fotografik e vendosin këtë ndalesë brenda të njëjtit itinerar të 22 tetorit 1982. Në Kishën Katolike “Shën Katarina e Aleksandrisë” ajo u takua me Imzot Nikë Prelën, Don Lush Gjergjin, Don Mark Sopin, Don Fran Sopin, meshtarë të tjerë dhe motra rregulltare.

Një hollësi që në pamje të parë mund të duket bibliografike, por që ka vlerë për historinë e recepcionit shqiptar të figurës së saj, është monografia Nëna jonë Terezë, botuar nga “Drita” më 1980, të cilën Don Lush Gjergji ia dhuroi vetë Nënë Terezës gjatë kësaj vizite. Jehona e librit kishte kaluar edhe përtej Kosovës: revista arbëreshe Zëri i Arbëreshvet / La Voce degli Albanesi d’Italia, në vitin X, nr. 14 të vitit 1981, në faqet 113–114, kishte botuar një recension kushtuar kësaj vepre.

Ky është një detaj që, në leximin tim, nuk duhet kaluar pa u vënë re: figura e Nënë Terezës po krijonte ura jo vetëm ndërmjet njerëzve dhe vendeve, por edhe ndërmjet hapësirave kulturore shqiptare, nga Kosova deri te arbëreshët e Italisë.

Me vizitën e vitit 1982 lidhet edhe hapja e kuvendit të Misionareve të Dashurisë, për të cilën në dokumentimin e Don Lush Gjergjit përmendet ftesa e famullitarit të atëhershëm, Dr. Don Gjergj Gjergjit. Kështu, ardhja e saj nuk mbeti vetëm ngjarje ceremoniale dhe shpirtërore, por mori edhe një dimension konkret misionar.

Vizita e pestë në Kosovë daton më 18 korrik 1986. Gjatë qëndrimit të saj në Zagreb, më 17–19 korrik, Nënë Tereza bëri më 18 korrik një vizitë private në Pejë dhe në disa vende të tjera.

Për këtë ardhje kemi edhe një dëshmi periodike të drejtpërdrejtë. Në Pejë ajo u intervistua nga Don Lush Gjergji dhe Don Zef Gashi, ndërsa intervista dhe fotografitë u botuan në revistën DRITA, numrat 7–10 të vitit 1986, pikërisht në faqet 8–9. Në të njëjtin rast, Don Lush Gjergji i dhuroi edhe monografinë Lule për Nënën.

Kjo e bën vizitën e vitit 1986 veçanërisht të prekshme për studiuesin dhe lexuesin e sotëm: nuk kemi vetëm një kujtim të mëvonshëm, por një gjurmë të botuar në shtypin e kohës, me intervistë dhe fotografi.

Me vitin 1986 përmbyllet kronologjia e pesë vizitave të Nënë Terezës në Kosovë. Të lexuara së bashku me monografinë Nëna jonë Terezë, shkrimet e Don Lush Gjergjit, monografinë Famullia e Zllakuqanit, dëshminë e Don Fran Sopit, faqet e DRITA-s dhe jehonën arbëreshe të veprës për Nënë Terezën, këto ardhje dalin përpara nesh jo vetëm si pjesë e biografisë së saj, por edhe si pjesë e historisë kishtare, shoqërore dhe kulturore të Kosovës.

Në këtë rrugëtim shfaqen Imzot Joakim Herbuti, Imzot Nikë Prela, Mons. Nikollë Mini, Don Lush Gjergji, Don Tomë Pjetri, Don Mark Sopi, Don Fran Sopi, Dr. Don Gjergj Gjergji dhe Don Zef Gashi; në rrafshin institucional, Bahri Oruçi dhe Pajazit Nushi; ndërsa në dokumentimin mediatik, gazetari Avni Spahiu. Secili është pjesë e mozaikut historik të pranisë së Nënë Terezës në këto troje.

Pikërisht këtu qëndron, në këndvështrimin tim, kuptimi i kujtesës sonë shumëdimensionale. Dokumentet na japin datat; monografitë na japin kontekstin; kronikat kishtare ruajnë ngjarjet; fotografitë na sjellin fytyrat dhe vendet; shtypi i kohës na dëshmon jehonën publike; ndërsa dëshmitë personale i japin historisë dimensionin njerëzor.

Historia nuk është vetëm dokument. Nuk është vetëm fotografi. Dhe nuk është vetëm kujtim.

Ajo bëhet më e plotë kur dokumenti, fotografia, monografia, periodiku, fjala e shkruar dhe kujtesa e dëshmitarit takohen dhe e ndriçojnë njëra-tjetrën.

Prandaj, sot, në 29-vjetorin e kalimit të saj në amshim, pesë vizitat e Nënë Terezës në Kosovë marrin një domethënie të veçantë. Ajo nuk kaloi thjesht nëpër këto troje. Në Letnicë, Prizren, Ferizaj, Gjakovë, Binçë, Prishtinë, Zllakuqan e Pejë la fjalë, lutje, takime dhe gjurmë që vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e njerëzve.

Më 5 shtator nuk kujtojmë vetëm përfundimin e jetës së saj tokësore. Për Kishën, kjo është festa liturgjike e Shën Terezës së Kalkutës; për të gjithë ata që e çmojnë veprën e saj, është një ditë reflektimi mbi dashurinë, mëshirën, paqen dhe dinjitetin njerëzor.

Për ne shqiptarët, ndërkaq, krenaria për Nënë Terezën merr kuptimin e saj të plotë vetëm kur shoqërohet me përgjegjësi.

Nuk mjafton ta quajmë bijë të kombit tonë. Nuk mjafton t’ia vendosim emrin shesheve, rrugëve, institucioneve dhe monumenteve, nëse nuk dimë ta lexojmë atë emër edhe si një thirrje morale për mënyrën se si sillemi me njeriun pranë nesh.

Emri i saj na nderon, ndërsa shembulli i saj na obligon.

Homazhi më i denjë për Shën Nënë Terezën është ta shndërrojmë kujtesën në vepër: të mos e anashkalojmë të varfrin, të mos e lëmë vetëm të moshuarin, ta dëgjojmë njeriun e harruar, ta ruajmë familjen, të falim, të ndërtojmë paqe dhe ta shohim tjetrin, para së gjithash, si njeri.

Në këtë 5 shtator, 29 vjet pas kalimit të saj në amshim, mesazhi mbetet i thjeshtë: ta nderojmë Shën Nënë Terezën jo vetëm me fjalë, përvjetorë dhe monumente, por me atë gjuhë universale që ajo e dëshmoi gjatë gjithë jetës – veprën e dashurisë.

Sepse çdo e mirë, sado e vogël, që i bëhet njeriut pranë nesh, është një mënyrë për ta mbajtur të gjallë dritën që ajo i la njerëzimit.

Dhe kur e mendoj këtë dritë, kujtesa më kthen përsëri në Zllakuqan, në atë 22 tetor 1982: te lugdrinasit që kishin dalë për ta pritur, te gjyshi im Marku dhe djemtë e axhës që ishin pranë meje dhe te ai takim i shkurtër me Nënë Terezën.

Atëherë ishte një çast, por sot është një kujtesë. Dhe, për mua, ajo kujtesë është bërë pjesë e historisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat