Ratko Mlladiq
Aeroplani me trupin e pajetë të Mlladiqit arrin në Beograd
Aeroplani me trupin e pajetë të Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë, ateroi të enjten, më 03.09.2026 në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit, raportoi Radio Televizioni i Serbisë.
Në aeroplanin që erdhi nga Haga ndodhej djali i Mlladiqit, Darko Mlladiq, mbesa Anastasija, Nenad Vujiq, si dhe dy bashkëluftëtarë të Mlladiqit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë më herët se pret që djali i Mlladiqit “në ditët në vijim t’i njoftojë të gjithë për atë që dëshiron familja”.
Ai shtoi se shteti do të jetë i gatshëm të ofrojë çdo lloj mbështetjeje logjistike, transporti dhe mbështetje tjetër, si dhe të ndihmojë në ruajtjen e rendit publik, paqes dhe sigurisë.
“Ne do të jemi këtu për të ofruar çdo lloj mbështetjeje logjistike, transporti dhe mbështetjeje për të ruajtur rendin publik, paqen dhe sigurinë”- tha Vuçiq.
Më herët, ministri serb Vujiq tha se Mlladiqi do të varrosej me nderime të larta shtetërore.
Mlladiqi vdiq më 27.08.2026 në Tribunalin e Hagës, teksa ishte i shtruar në spital.
Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale tha se në momentin e vdekjes ai ishte në pritje të transferimit në një shtet për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Tribunali i Hagës e dënoi Mlladiqin me burgim të përjetshëm më 08.06.2021.
Gjykata konstatoi se ai ishte fajtor për gjenocidin e kryer ndaj rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara (OKB), në verën e vitit 1995.
Mlladiqi u dënua edhe për përndjekjen dhe zhvendosjen me forcë të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnje e Hercegovinën, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe mbajtjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të OKB-së gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1995.
Gjatë procesit gjyqësor, i cili filloi më 16 maj 2012 dhe zgjati 530 ditë, dëshmuan 592 dëshmitarë dhe u paraqitën rreth 10.000 materiale provuese. Gjykata mori parasysh edhe 2.000 fakte të vërtetuara me vendime gjyqësore.
Ratko Mlladiqi u arrestua në Serbi më 26.05.2011. Ai ishte i arratisuri më i kërkuar nga drejtësia e Hagës dhe kishte arritur t’i ikte drejtësisë për gati 16 vjet.
Gjashtë ditë pas arrestimit, ai iu dorëzua Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Aktakuza e parë kundër tij u ngrit më 24.07.1995/REL