Ekspozita 'Sketching Prishtina'
'Gran Fest' sjell artistë të huaj për të vizatuar Prishtinën, punimet pjesë e ekspozitës 'Sketching Prishtina'
Sot është hapur ekspozita “Sketching Prishtina”, e realizuar nga “Gran Fest”.
Ekspozita e hapur më 03.09.2026 ka mbledhur katër artistë të huaj nga vende si Barcelona, Madridi, Lyoni and Montpellier. Atyre iu bashkëngjit dhe artistja nga Prishtina Liza Dervishaj.
Organizatori i kësaj ekspozite, Gani Jakupi, i cili njëkohësisht është dhe drejtori artistik i “Gran Fest”, tha për KALLXO.com se përmes kësaj iniciative artistët ndërkombëtarë kanë mundësi të observojnë Prishtinën dhe njëkohësisht ta vizatojnë.

“Do ta vizitojnë dhe do ta vizatojnë”- tha Jakupi.
Ndër të tjera ai shtoi se përmes kësaj iniciative Prishtina do të marrë një promovim ndërkombëtar, pasi që artistët do t’i marrin skicat me vete dhe do t’i ekspozojnë në qytete të tjera evropiane.
“Edhe këta kanë me i marrë skeçet me vete. Dallimi në këtë rast se artistët e tjerë shkojnë edhe tregojnë artin e tyre, këta përveç që tregojnë, marrin me vete imazhet që ne po i ekspozojmë këtu ama thashë i marrin këto vepra me vete e kanë me i ekspozu nëpër qytete të tjera. Kudo që i ekspozojnë veprat e tyre, kanë me ekspozu Prishtinën. Në njëfarë mënyre ne po bëjmë një PR për Prishtinën”- shtoi Jakupi.

Artistët e huaj që morën pjesë ishin Enrique Flores, Aurélie Calmet, Emmanuel Prost, Pedro Espinosa. Ata gjatë qëndrimit të tyre në Prishtinë, më 01 dhe 02.09.2026, vizatuan qytetin dhe i shfaqën në këtë ekspozitë.
Artisti spanjoll Enrique Flores tha për KALLXO.com tha se përmes vizatimit po mundohej të kombinonte pikat arkitektonike të vendit dhe anën popullore të tij.
“Po mundohesha t’i kombinoja pak, të mos bëja vetëm pikat kryesore arkitektonike të qytetit, por edhe anën më të gjallë dhe më popullore të tij, që mendoj se është një pasuri e madhe në Prishtinë. Si për shembull tregtarët e domateve, ose një taksist, ose thjesht njerëz të zakonshëm”- tha Flores.
Flores po ashtu foli dhe për eksperiencën e tij me njerëzit në Prishtinë gjatë dy ditëve që po vizatonte nëpër Prishtinë.
“Për me thënë të drejtën, është një vend shumë i mirë për të vizatuar në rrugë sepse njerëzit janë shumë miqësorë dhe ke shumë ndërveprime. Dje isha te tregu i vjetër dhe disa njerëz m’u afruan për të më kërkuar një vizatim, për të më pyetur se çfarë po bëja, për të shfaqur interes për punën time. Kështu që kjo është shumë e këndshme dhe jo shumë e zakonshme në vende tjera për fat të keq.”- shtoi ai.
Ekspozita është hapur më 03.2026 dhe do të qëndrojë e hapur për dy javë në hapësirat e Europe House në Prishtinë.