Shkolla "Lismiri" në Fushë Kosovë, foto: Nora Osmani/KALLXO.com, 03.09.2026

130 nxënës bojkotojnë mësimin, objekti i shkollës “Lismiri” në Fushë Kosovë në gjendje të rënduar

Rreth 130 nxënës të shkollës “Lismiri” në fshatin Lismir të Fushë Kosovës nuk e kanë zhvilluar procesin mësimor që nga data 01.09.2026. Kjo për shkak të gjendjes së rënduar të objektit të kësaj shkolle.

Për shkak të kushteve në të cilat ndodhet objekti, sot, më 03.09.2026, Inspektorati Sanitar, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë ka marrë vendim për “Ndërprerje të përkohshme të veprimtarisë” së shkollës.

Ndërkohë, nga Komuna e Fushë Kosovës kanë treguar se mos-investimi në renovimin e objektit shkollor lidhet me planet për zhvendosjen e shkollës.

Valon Prebreza, kryetar i Komunës së Fushë Kosovës tha se në lokacionin në afërsi të shkollës po planifikohet ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujërave të zeza për rajonin e Prishtinës.

Sipas tij, për këtë arsye është e paraparë që lokacioni i shkollës të ketë një perimetër të caktuar distance në raport me impiantin.

“Është e vërtetë që gjendja e shkollës së Lismirit është në një situatë kaotike edhe në një situatë shumë të vështirë. Objekti si objekt nuk i plotëson kriteret. Ne kemi ngritur zërin edhe sa kemi qenë në opozitë që ajo shkollë nuk i plotëson kushtet elementare për të vijuar mësimi. Mirëpo, krejt kjo e ka një histori në vete. Do të thotë lokacioni ku është shkolla e Lismirit dhe pjesa perimetrike aty është e paraparë të ndërtohet impianti i trajtimit të ujërave të zeza për regjionin e Prishtinës. Ne [kemi] mundësitë buxhetore për një renovim të pjesshëm sa për të filluar mësimi edhe për të parë që ky vit të kalojë në mënyrën se qysh ka kaluar deri sot. Mirëpo, në bazë të rregullave dhe ligjeve, është e paraparë që të ketë një perimetër të caktuar shkolla në raport me impiantin.” – tha Prebreza.

Ai sqaroi se ka kërkuar nga banorët e fshatit që të bashkëpunojnë për gjetjen e një lokacioni të përshtatshëm për ta ndërtuar objektin e ri të shkollës.

“Na tokë publike nuk kemi për momentin aty ku mundet me u ndërtu shkolla. Ftesa për banorët që ka qenë sot është e drejtuar në mënyrë të sinqertë: Hajdeni ta bëjmë zgjidhjen. Ku po thoni ju që me ndërtu shkollën? Hajde e gjejmë tokën, fundi i fundit edhe e blejmë tokën, vetëm të jetë në kushtet që lejohet me ligj. Nuk kanë ardhë sot, kenë vetëm dy-tre banorë edhe rrjedhimisht dështoi takimi. I pres kurdo që duan me ardhë, kudo që organizohen. Le të vijnë, komuna është e qytetarëve, unë jam i tyre edhe jam për me bë zgjidhje.” – theksoi ai.

Ndërkohë që tha se nxënësit nuk do të mbesin pa objekt shkollor.

“Rrjedhimisht ju them: pa shkollë nuk i lë. Hajdeni vetëm ta gjejmë lokacionin bashkë. Për juve, për ta e kam, për fëmijët e tyre. Vetëm ta bëjmë zgjidhjen qysh edhe atyre ju konvenon.” – u shpreh Prebreza.

Nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Fushë Kosovë, drejtori Sabri Xhigoli tregoi se u kanë propozuar prindërve që nxënësit të zhvendosen përkohësisht  në ambientet e gjimnazit “Hivzi Sulejmani”, por që këta të fundit nuk e pranuan një gjë të tillë.

Si pasojë e kësaj, ai tha se nuk ka filluar mësimi qe tri ditë.

“Ua kam shpjeguar gjendjen, rrethanat dhe sikur atëherë, pak a shumë, e kam pasur një disponim dhe një atmosferë se do të pranohet një mënyrë e tillë e organizimit të procesit mësimor, por ndërkohë gjërat kanë lëvizur më ndryshe dhe kanë sjellë epilogun që prindërit të mos pajtohen që fëmijët e tyre t’i sjellin në ambientet e Gjimnazit ‘Hivzi Sulejmani’ në Fushë Kosovë, dhe si pasojë as sot, as dje, as më 1 shtator procesi mësimor në shkollën Lismiri nuk ka filluar.” – potencoi Xhigoli.

Ai po ashtu tha se për orët e humbura mësimore, së shpejti do të dalin me një vendim që parasheh zavendësimin e tyre gjatë fundjavës apo edhe në orare të tjera.

Sa i përket vendimit për ndërprerjen e përkohshme të veprimtarisë, të lëshuar nga Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë, KALLXO.com ka kërkuar sqarime shtesë lidhur me arsyet dhe masat që parashihen me këtë vendim. Deri në publikimin e artikullit të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndërkaq, raporti përfundimtar i Vlerësimit të Jashtëm të Performancës për shkollën fillore “Lismiri”, i siguruar nga KALLXO.com, evidenton një gjendje të rënduar të objektit shkollor. Në raport thuhet se shkolla nuk ka ambiente dhe infrastrukturë as për kushte minimale të punës, ndërsa përmenden edhe objekti i demoluar, mungesa e pajisjeve higjienike dhe niveli jo i duhur i pastërtisë.

Për të sqaruar gjetjet e këtij raporti, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar përgjigje.

Tutje, KALLXO.com ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga drejtoria e shkollës “Lismiri”, lidhur me gjendjen e objektit dhe ndërprerjen e procesit mësimor, drejtori i kësaj shkolle, nuk ka pranuar të përgjigjet për KALLXO.com. Po ashtu as prindërit e nxënësve nuk pranuan të flasin për këtë problem.