Ilustrim

Prokuroria e Ferizajt kërkon paraburgim ndaj dy të dyshuarve për shitblerje të narkotikëve

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, F.D., dhe E.D., për shkak të dyshimit për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbatje pa leje.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, më datë 02.09.2026, gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit F.D., (shtetas i Shqipërisë ) në Ferizaj janë gjetur dhe konfiskuar katër kavanoza qelqi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 4929 gram, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë 4.6 gram, një peshore digjitale, foli transparente për paketim, qese të zbrazëta transparente, një pistoletë me gaz me një karikator, pesë fishekë, para të gatshme në euro dhe lekë, veturë e llojit “Passat” me targa të Shqipërisë dhe çelësi i saj, si dhe telefona, kartela SIM dhe sende të tjera materiale.

Ndërsa, tek i pandehurit E.D. gjatë kontrollit të banesës së tij në Ferizaj është gjetur dhe konfiskuar sasi prej 566 gram substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë, si dhe është konfiskuar edhe një kavanoz me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 21.7 gram, sasi të tjera të së njëjtës substancë me peshë 0.49 gram dhe 0.2 gram, dy telefona celularë, kartelë bankare dhe para të gatshme.

“Andaj me këto veprime për të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 i KPRK-së, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi ose kontroll i paautorizuar i armës” nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë të datës 03.09.2026.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka theksuar se të pandehurit F.D., dhe E.D., që nga data 02.09.2026 me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit prej 48 orë.