Protestat kundër qeverisë dhe zhvillimet e pritshme politike ishin në qendër të diskutimit në studio me Ilirjana Kuçanën.
Ajo foli për humbjen e besimit te qeveria pas 14 vitesh në pushtet, duke e lidhur situatën me protestat e fundit dhe kërkesën e opozitës për ndryshime politike.
Sipas Kuçanës, platformat e prezantuara ndër vite nga kryeministri Edi Rama kanë ndryshuar emër, por jo përmbajtjen dhe njerëzit që qëndrojnë pas tyre.
Ajo përmendi “Shqipërinë që duam”, “Pasqyrën” dhe së fundmi “Besën”, duke i cilësuar si forma të ndryshme të së njëjtës qasje qeverisëse.
“Rama thjesht ndryshon emrat e platformave, por duhet të themi që hajdutët janë po të njëjtë, janë po ata të vjetrit. Pra askush nuk beson më tek platformat, askush nuk beson më tek ajo çka Rama mundohet t’ju ushqejë shqiptarëve, nuk ka besë. Me një njeri që e ka prerë në besë shqiptarët prej 14 vitesh, nuk ka më besë.”-nënvizoi ajo.
Në vijim të debatit, Kuçana lidhi humbjen e besimit te qeveria edhe me akuzat që, sipas saj, janë ngritur ndër vite ndaj zyrtarëve të ndryshëm.
Në fjalën e saj ajo përmendi emra si Ergys Agasi, Belinda Balluku dhe zyrtarë të AKSHI-t, duke pretenduar se mazhoranca ka zgjedhur të qëndrojë pranë personave që janë përballur me akuza për afera korruptive.
Ajo e vendosi këtë situatë përballë protestave të zhvilluara së fundmi, të cilat i cilësoi si një shenjë të rritjes së pakënaqësisë qytetare.
Sipas saj, Zvërneci ishte një nga momentet kulmore të kësaj pakënaqësie, ndërsa pjesëmarrja në protesta tregon, sipas saj, një rikthim të qytetarëve në përballjen publike me qeverinë.
Kuçana u ndal edhe te mesazhi që, sipas saj, po përcillet nga protestuesit: mbrojtja e identitetit kombëtar, flamurit kuqezi dhe kërkesa për përgjegjësi politike.
“Shqiptarët tashmë i kanë dhënë besa-besë njëri-tjetrit, janë në shesh. Është një nga protestat që i ka kthyer shpresën Shqipërisë. Shqiptarët ngrihen dhe mbrojnë identitetin, shqiptarët ngrihen dhe mbrojnë flamurin kuqezi. Zvërneci ishte pika kulminante e pakënaqësive në këtë vend.”-tha ajo.
Në fund, mesazhi i saj lidhej me zhvillimet që priten në muajt e ardhshëm. Kuçana parashikoi një situatë të re politike dhe u shpreh se kryeministri Edi Rama, sipas saj, nuk do të mund të qëndrojë gjatë në qeveri.
Ajo tha se protestuesit do të vijojnë qëndrimin në shesh deri në dorëheqjen e kryeministrit dhe kërkoi krijimin e një qeverie tranzitore dhe teknike, të përbërë nga ekspertë, e cila do të përgatiste vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Zhvillimet që do të jenë në muajt në vazhdim do ta tregojnë qartazi se Edi Rama i ka ditët e shkurtra në qeveri. Shqiptarët tashmë janë besa-besë në shesh dhe do vazhdojnë të jenë në shesh, deri në dorëheqjen e Edi Ramës, deri në një qeveri tranzitore, deri në një qeveri me ekspertë, me teknikë, e cila do ta çojë Shqipërinë në zgjedhje të lira dhe të ndershme.”-theksoi ajo.