42-vjeçari në gjendje të dehur sulmon punëtorin e një kafiterie në Mitrovicë të Veriut

42-vjeçari me iniciale E.A. është shoqëruar në Policinë e Kosovës, pasi dyshohet se, nën ndikimin e alkoolit, ka sulmuar 25-vjeçarin me iniciale A.A. në kafiterinë “Ministry of Qef” në Mitrovicë të Veriut.

Lajmin për KALLXO.com e bëri të ditur Erduan Baliqi nga Drejtoria Rajonale e Mitrovicë-Veriut, i cili tha se rasti ka ndodhur të premten, më 04.09.2026, rreth orës 14:00.

Sipas Baliqit, i dyshuari, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt.

“Ka rezultuar me 1.16 promil alkool. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Lëndim i lehtë trupor”- theksoi ai.

KALLXO.com mëson se i lënduari është punëtor në kafiteri.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Spitalit të Mitrovicës, Shpend Fazliu, konfirmoi se A.A. lëndimet i ka marrë në sy dhe, pas trajtimit, është liruar për në shtëpi.

“Ka kërkuar ndihmën mjekësore emergjente si pasojë e lëndimeve. Pas ekzaminimeve emergjente mjekësore, rasti është konsultuar dhe kontrolluar edhe nga mjeku oftalmolog dhe pas ndihmës është liruar me terapi përkatëse të përshkruar nga mjeku”- tha Fazliu për KALLXO.com.