Zjarri që prej tre ditësh ka përfshirë zona të Matit është izoluar në vatrën e Mallunxës, por situata mbetet kritike në Ulëz. Flakët po përparojnë drejt zonave të banuara, ndërsa në fshatin Madhesh rrezikohen një banesë dhe një fermë me më shumë se 200 koshere bletësh. Në Shkopet kërkohet ndërhyrje nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Pas tri ditësh përpjekjesh, strukturat e mbrojtjes civile, forcat e armatosura dhe zjarrfikësit kanë arritur të izolojnë vatrën masive në dushqet e fshatit Mallunxë, në Bashkinë e Matit.
Por izolimi i kësaj vatre nuk e ka qetësuar situatën. Në njësinë administrative Ulëz, flakët vijojnë të përhapen dhe po afrohen me shpejtësi drejt zonave të banuara.
Në fshatin Lundër, zjarri është afruar pranë banesave. Banorët, pavarësisht rrezikut, nuk kanë pranuar të largohen nga shtëpitë e tyre, duke thënë se nuk mund të lënë pas gjithçka që kanë ndërtuar ndër vite.
Rreziku është i madh edhe në fshatin Madhesh. Atje flakët kërcënojnë një banesë dhe një fermë ku ndodhen më shumë se 200 koshere bletësh. Zjarri mund t'i përfshijë ato në çdo moment nëse vijon përparimi i flakëve.
Në terren ndodhen shërbimi pyjor, forcat zjarrfikëse, Ushtria dhe vullnetarë nga zona, të cilët po punojnë për të mbajtur nën kontroll vatrat e zjarrit.
Situata bëhet edhe më shqetësuese në luginën e Shkopetit. Zjarri po futet me shpejtësi në këtë zonë, ku ndodhen dhjetëra banesa që mund të preken drejtpërdrejt nga flakët.
Përballë përhapjes së zjarrit, autoritetet lokale dhe banorët kërkojnë ndërhyrje nga ajri me helikopterë. Synimi është që flakët të ndalen përpara se të afrohen më tej me banesat dhe zonat e banuara.
Ndërsa vatra në Mallunxë është izoluar, beteja me zjarrin vijon në Ulëz dhe Shkopet, ku rreziku për banesat dhe pasuritë e banorëve mbetet i lartë.