Një avion luftarak grek i tipit F-4 Phantom është rrëzuar këtë të shtunë gjatë një shfaqjeje ajrore në bazën ajrore të Tanagrës, në veri të Athinës. Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën dy pilotët që ndodheshin në bord.
“Fatkeqësisht, dy pilotët kanë vdekur”, tha një zyrtar, duke bërë të ditur se avioni u rrëzua rreth dy kilometra larg aeroportit. Sipas autoriteteve, nuk janë raportuar persona të tjerë të lënduar, mes kalimtarëve apo banorëve në zonën përreth.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë avionin F-4 duke kryer një kthesë djathtas, vetëm pak metra mbi tokë, disa sekonda para se të përplasej dhe të përfshihej nga flakët.
Në vendngjarje shkuan menjëherë 11 avionë dhe helikopterë zjarrfikës për të vënë nën kontroll zjarrin, i cili u përhap edhe në pyllin pranë zonës së rrëzimit.
“Ne të gjithë mbetëm të shtangur. Nuk kishte qenë në ajër për më shumë se tre minuta”, tha një dëshmitar okular.
Ndërkohë, përmes altoparlantëve të bazës ajrore, njerëzit në zonë u njoftuan që të largoheshin për arsye sigurie. Avioni F-4 Phantom po merrte pjesë në Javën e Fluturimit në Athinë, një aktivitet vjetor që tërheq ekipe të aviacionit ushtarak dhe civil nga dhjetëra vende.
