Zjarri që përfshiu zonën e Himarës mbrëmjen e së premtes krijoi frikë dhe pasiguri edhe te turistët që ndodheshin në zonë. Disa prej tyre u detyruan të largoheshin përkohësisht nga hotelet dhe hostelet ku qëndronin, ndërsa rrugët e bllokuara e vështirësuan largimin.
Një ditë pas ngjarjes, turistët treguan se situata është qetësuar dhe se tashmë ndihen të sigurt. Ata vijojnë pushimet në Himarë, ndërsa kujtojnë momentet kur flakët iu afruan zonave ku po qëndronin.
Një turiste tregoi se në momentin më të vështirë nuk dinte nëse do të mund të largohej nga zona. Ajo u largua nga vendi ku po qëndronte dhe shkoi në një restorant pranë malit, por më pas nuk mundi të vazhdonte rrugën.
Sipas saj, rrugët ishin të bllokuara dhe taksitë nuk mund të shkonin për t'i marrë. Duke qenë se nuk kishte makinë me qira, situata i krijoi frikë.
Turistja tha se më pas mori mbështetje nga stafi i hotelit dhe se sot ndihet më e sigurt. Ajo shprehu mirënjohje edhe për zjarrfikësit që punuan për shuarjen e flakëve.
Edhe turistë të tjerë që qëndronin në një hostel pranë zonës së zjarrit treguan se e panë flakën nga kodra. Disa prej tyre u larguan përkohësisht me makinë dhe qëndruan në një restorant, në pritje të përmirësimit të situatës.
Rreth mesnatës, pasi morën njoftim se mund të riktheheshin, turistët u kthyen në hostel. Ata panë ende prush dhe gjurmë të zjarrit, ndërsa në zonë kishte pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Një tjetër turiste tregoi se disa nga personat që qëndronin në hostel, përfshirë turistë nga Australia, i këshilluan të largoheshin pasi kishin përjetuar më parë situata të ngjashme.
Turistët thanë se, pavarësisht frikës së shkaktuar nga zjarri dhe dëmeve në natyrë, sot ndihen të sigurt. Ata kanë vendosur të vijojnë qëndrimin në Himarë dhe pushimet e tyre.