Sot në Jelsa të Kroacisë u mbajt “Jelsa Veteran European Cup 2026”, ku morën pjesë garues nga 12 shtete dhe mbi 80 sportistë.
Ndër ta edhe veterani i xhudos Anton Cena.
“Këtë garë e shfrytëzova si një test para Garave Evropiane të Policisë dhe Zjarrfikësve, që do të mbahen në Vigo të Spanjës, për të matur formën dhe përgatitjen time.
Në kategorinë time, -66 kg, nuk kishte kundërshtarë për një sfidë të mirëfilltë, prandaj vendosa të garoj në kategorinë -73 kg. Zhvillova dy lufta dhe të dyja i fitova me Ippon.
Për Policinë e Kosovës, edhe një medalje e artë!
Një moment veçanërisht emocionues ishte kur sot në palestër u intonua Himni i Republikës së Kosovës dhe u valëvit Flamuri i Kosovës. Ishte një ndjenjë e veçantë ta përfaqësoja vendin tim edhe në këtë garë.
Falënderoj shumë Shoqatën e Sporteve të Policisë dhe Drejtorin e Përgjithshëm, z. Gazmend Hoxha, si dhe Kryetarin, z. Amir Gërguri, të cilët më mundësuan pjesëmarrjen në këtë aktivitet. Falë lejes së tyre, sot flamuri dhe himni i Kosovës u prezantuan në palestër.
Një falënderim i veçantë shkon për mikun tim Renato Sculac, për organizimin e shkëlqyer, mikpritjen dhe përcjelljen gjatë gjithë qëndrimit. Vitin e ardhshëm po ju premtoj se do t’i sjell edhe tri shtete më shumë në këtë garë.
Deri në garën e radhës në vitin 2027”, ka shkruar Cena.