Italia siguroi finalen e gjashtë evropiane. Kombëtarja italiane e mposhti me rezultat 3:1 (25:19, 25:19, 21:25, 25:16) Poloninë në gjysmëfinalen e zhvilluar në Stamboll dhe siguroi një vend në aktin e fundit të turneut, ku do të përballet sërish me Turqinë, të njëjtën kundërshtare me të cilën u përball për medaljen e artë në Botërorin 2025 në Tajlandë.
Ky rezultat i jep Italisë mundësinë të vazhdojë ëndrrën për një kurorë të trefishtë historike.
Për Italinë kjo do të jetë medalja e nëntë në Kampionatet Evropiane. Deri tani, bilanci është 3 medalje ari, 2 argjendi dhe 3 bronzi.
Pas vështirësive të përjetuara në çerekfinale ndaj Suedisë, italianet zhvilluan një ndeshje shumë të mirë në dy setet e para, përpara se të befasoheshin nga Polonia në setin e tretë. Në setin e katërt, Italia riktheu qetësinë dhe përqendrimin dhe arriti ta mbyllë ndeshjen.
Megjithatë, të dielën, në finale kundër Turqisë, gabime si ai i setit të tretë mund t’i kushtojnë shtrenjtë Italisë.
Në dy setet e para, Polonia e trajnerit Lavarini pothuajse nuk arriti të dilte nga “rrjeta” e bllokut italian: Italia realizoi 7 bllokime në setin e parë dhe 4 në të dytin.
Ishte një dominim i madh në këtë element të lojës, i cili neutralizoi opsionin kryesor të sulmit të Polonisë, Magdalena Stysiak.
Lavarini u detyrua të reagojë dhe në setin e tretë aktivizoi Szczurowskan, në vend të kapitenes Stysiak. Ndeshja ndryshoi papritur.
Italia filloi të gabonte më shumë, ndërsa në bllok nuk dukej më aq e pakalueshme sa në orën e parë të lojës.
Megjithatë, shqetësimet u zhdukën shpejt, pasi italianet në setin e katërt u rikthyen në nivelin e tyre dhe u shkëputën vendosmërisht drejt fitores.
Kjo ishte fitorja e 21-të radhazi e Italisë në një garw të madhe – Lojëra Olimpike, Botëror apo Evropian, që prej momentit kur Velasco mori drejtimin e kombëtares italiane.
Egonu shënoi 20 pikë, me 53% efikasitet në sulm. Danesi realizoi 13 pikë me 73% efikasitet.
Si ekip, Italia zhvilloi paraqitjen më të mirë në bllok gjatë këtij Evropiani, duke realizuar 18 pikë direkte nga blloku.
Të dielën, në orën 18:00, luhet finalja e madhe.