Leclerc premton magjinë, Hamilton sulmon

Formula 1

Leclerc premton magjinë, Hamilton sulmon

Më: 5 shtator 2026 Në ora: 20:28
Leclerc

Ferrari nuk arriti të shkëlqente në kualifikueset e Çmimit të Madh të Italisë, por Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton janë të vendosur të reagojnë në garën e së dielës. Falë penalizimit të Oscar Piastrit, dy pilotët e Ferrarit do ta nisin garën krah për krah nga rreshti i dytë.

Leclerc pranoi se skuadra i komplikoi gjërat në momentet vendimtare të kualifikimeve, ndërsa theksoi se ritmi i SF-26 mbetet pika e fortë.

“E komplikuam jetën për veten. Patëm disa probleme që shfaqen pikërisht në momentin vendimtar të kualifikimeve. Ritmi është arma jonë më e fortë, por do të kemi vështirësi në të drejta dhe duhet ta kemi parasysh këtë. Gjithsesi, do të provoj të bëj një magji. Ia kam dalë në 2019 dhe 2024. Ky është mendimi im i vetëm!”, tha Leclerc, duke iu referuar dy fitoreve të tij në Monza.

Edhe Hamilton është i motivuar për të dhuruar një paraqitje të madhe për tifozët e Ferrarit.

“Shikoj anën pozitive. Jam i privilegjuar që drejtoj një makinë të kuqe në Monza, përpara kaq shumë tifozëve. Dua t’u dhuroj diçka speciale të gjithëve. Do të sulmoj me gjithçka, por më pas duhet të jemi perfektë”, deklaroi britaniku.

Drejtori i Ferrarit, Frederic Vasseur, shpjegoi se një problem me baterinë në Q2 rrezikoi situatën e skuadrës, por Ferrari arriti të shpëtonte kualifikimin.

“Gati sa nuk patëm probleme më të mëdha, por arritëm të shpëtonim. Ishte një kualifikim shumë i ngushtë dhe në limit. Gjithsesi, rreshti i dytë është një mundësi e mirë për ne”, u shpreh Vasseur.

Tani të gjitha sytë janë te gara, ku Ferrari synon të shfrytëzojë nisjen nga rreshti i dytë dhe atmosferën e jashtëzakonshme të tifozëve në Monza..

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat