Teqeja e Frashërit ka shënuar 245-vjetorin e themelimit, në një aktivitet ku mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
5 shtatori është një ditë pelegrinazhi për besimtarët bektashinj, ndërsa ceremonia u zhvillua në Frashër, në Përmet.
Gjatë fjalës së tij para besimtarëve, Begaj u ndal te historia e Teqesë së Frashërit dhe roli që ajo ka pasur në ruajtjen e dijes, identitetit dhe ndërgjegjes kombëtare.
Sipas Presidentit, që prej vitit 1781, kur u themelua teqeja, ajo nuk ka shërbyer vetëm si vend lutjeje. Ajo ka qenë edhe një hapësirë mikpritjeje, dijeje dhe kuvendimi, duke u lidhur me zhvillimet e rëndësishme të historisë shqiptare.
Begaj kujtoi gjithashtu rolin e klerikëve bektashinj gjatë periudhave të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, nga Rilindja Kombëtare deri në krijimin e shtetit shqiptar.
Ai foli edhe për harmoninë fetare në Shqipëri, duke e lidhur atë me traditën e bashkëjetesës mes besimeve. Sipas tij, kjo frymë është krijuar ndër breza në vende ku besimi fetar ka bashkëjetuar me ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
Presidenti u ndal edhe te kujtesa kombëtare dhe rëndësia e ruajtjes së saj. Pelegrinazhin në Frashër e përshkroi si një rikthim te rrënjët e identitetit shqiptar, duke përmendur edhe lidhjen e fortë të kësaj treve me vëllezërit Frashëri dhe veçanërisht me Naim Frashërin.
Në përfundim të vizitës në Frashër, Begaj vizitoi edhe shtëpinë e vëllezërve Frashëri.