Një autostradë në Kosovë - Foto: REL

Të dielën nuk do të ketë kufizim të qarkullimit për kamionët mbi 20 tonë

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se gjatë ditës së nesërme (06.09.2026) nuk do të ketë kufizim të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.

Sipas Ministrisë, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, nuk pritet të plotësohen kushtet e përcaktuara në vendimin për zbatimin e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit.

“Për ditën e nesërme, nuk do të ketë kufizim të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë”,- thuhet në njoftim.

Ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë çdo ditë parashikimet meteorologjike.

Gjatë muajve të fundit, kjo ministri kishte marrë vendim për moslejimin e qarkullimit të kamionëve mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës gjatë intervaleve të caktuara. Kjo për shkak të mbizotërimit të temperaturave të larta gjatë muajve të verës në vend.