Dinamo dhe Elbasani do të përballen nesër, në ndeshjen e vlefshme për javën e 3-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, do të nisë në orën 18:30. Në prag të këtij takimi, ka folur edhe zv.trajneri dinamovit Glen Daja, pasi Ilir Daja është i pezulluar.
“Kemi përpara një ndeshje të rëndësishme ndaj një rivali direkt, siç është skuadra e Elbasanit. Do të luajmë në ‘Elbasan Arena’, në një terren shumë të mirë të cilin tashmë e njohim mjaft mirë sepse kemi zhvilluar ndeshjet tona europiane dhe kemi pasur sukses.
Besojmë se do të zhvillojmë një ndeshje të bukur, si ato që luajtëm në Europë. Jemi të vetëdijshëm se do të jetë një sfidë e luftuar dhe me rivalitet të madh. Uroj të ketë sa më shumë tifozë, për të krijuar një atmosferë të bukur dhe një ambient të mirë për të luajtur futboll, sepse kjo i ndihmon shumë lojtarët për të dhënë më të mirën e tyre.
Si rrallëherë gjatë kësaj periudhe, pasi kemi pasur një kalendar të ngjeshur për shkak të ndeshjeve në Europë, këtë herë kemi pasur në dispozicion pothuajse një javë të plotë për t’u përgatitur për sfidën e radhës.
Kemi punuar shumë mirë me skuadrën dhe shpresoj që ekipi të paraqitet ashtu siç duhet, pavarësisht se grupi nuk është ende 100% i plotë. Mund të kemi disa mungesa, por situatën përfundimtare do ta vlerësojmë në prag të ndeshjes”, tha Daja.