Klubi i futbollit Rilindja e Prishtinës ka reaguar ndaj Arbërisë së Dobrajës së Madhe, ndeshje që u luajt sot në kuadër të Ligës së Dytë të Kosovës.
Arbëria ka reaguar më herët për incidentin, ndërsa Rilindja i përgjigjet dhëmbë për dhëmbë.
“KF Rilindja i përgjigjet me vendosmëri deklaratës së KF Arbëria, e cila përmban pretendime të rënda dhe të pavërteta ndaj klubit tonë.
Ndeshja përfundoi 3:1 për klubin tonë. Pas përfundimit të saj, në vend të respektit për rezultatin sportiv, pati konfrontime të Trajnerit kryesor të KF Arbëria dhe trajnerit të portierëve ( I Cili nuk ka qenë pjesë e protokollit zyrtar të ndeshjes) me gjyqtarët e ndeshjes. Kujtojmë se mbrojtja e gjyqtarëve dhe garantimi i sigurisë së tyre është përgjegjësi e organizimit të klubit vendas dhe KF Rilindja ka vepruar pikërisht në këtë drejtim.
Veçanërisht shqetësues është fakti se një pjesëtar i stafit të KF Arbëria (Trajneri i portierëve), i cili nuk ka qenë i evidentuar në protokollin zyrtar të ndeshjes, është përfshirë në këtë situatë duke pasur sjellje konfrontuese ndaj gjyqtarëve, së bashku me Trajnerin Kryesor.
Po aq e papranueshme është mënyra se si më pas është paraqitur ngjarja në publik, duke krijuar një version të njëanshëm që tenton ta paraqesë KF Rilindja si përgjegjëse.
Kjo nuk është mënyra se si mbrohet sporti.
KF Rilindja nuk do të lejojë që një klub i mirëorganizuar, profesional dhe shembull në futbollin e Kosovës dhe përtej saj të njolloset përmes deklarimeve të pavërteta.
Për këtë arsye, kemi iniciuar menjëherë hapat institucionalë dhe ligjorë për shpifje, deklarime të rreme dhe cenim të reputacionit, përfshirë edhe publikimet mediatike që kanë përcjellë pretendime të pabazuara.
Nuk do të heshtim. Nuk do të tolerojmë shpifje. Dhe nuk do të lejojmë askënd të dëmtojë emrin e KF Rilindja.
Futbolli kërkon respekt, fair-play dhe përgjegjësi, jo akuza të pabazuara dhe përpjekje për ta ndryshuar realitetin pas një ndeshjeje të humbur.
3:1 në fushë. Dinjitet jashtë saj.
Rilindja nuk njolloset. Rilindja mbrohet”, ka reaguar Rilindja.