Incident pas ndeshjes Rilindja–Arbëria, klubet japin versione të ndryshme
Pas përfundimit të ndeshjes mes KF Rilindjes dhe KF Arbërisë, e cila përfundoi me rezultat 3:1 në favor të Rilindjes, dyshohet se ka pasur përplasje mes pjesëtarëve të dy klubeve.
KF Arbëria, përmes një reagimi zyrtar mbrëmjen e së shtunës (05.09.2026), ka pretenduar se pas përfundimit të ndeshjes persona zyrtarë të klubit kundërshtar, së bashku me disa tifozë, kanë sulmuar pjesëtarë të stafit dhe futbollistë të saj.
Sipas Arbërisë, si pasojë e incidentit, disa lojtarë dhe pjesëtarë të stafit kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë tretman mjekësor nga ekipet e Ndihmës së Shpejtë. Klubi ka bërë të ditur se gjendja e tyre shëndetësore është stabile.
Arbëria ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe Policia e Kosovës që ta hetojnë incidentin dhe të ndërmarrin masa ndaj personave përgjegjës.
“Ajo që ndodhi sot është e turpshme dhe e papranueshme për futbollin e Kosovës. Futbolli duhet të jetë garë, respekt dhe sportivitet, e jo vend ku dhuna dhe sulmet fizike zënë vend”, thuhet në reagimin e lëshuar.
Ndërkohë, KF Rilindja i ka mohuar pretendimet e Arbërisë, duke i cilësuar ato si “të rënda dhe të pavërteta”.
Rilindja ka dhënë një version tjetër për ngjarjen, duke pretenduar se pas ndeshjes trajneri kryesor i Arbërisë dhe trajneri i portierëve janë përfshirë në konfrontim me gjyqtarët e takimit.
Sipas Rilindjes, trajneri i portierëve nuk ka qenë pjesë e protokollit zyrtar të ndeshjes dhe, së bashku me trajnerin kryesor, ka pasur “sjellje konfrontuese ndaj gjyqtarëve”.
Klubi ka deklaruar se ka ndërhyrë për mbrojtjen dhe sigurinë e gjyqtarëve, duke theksuar se kjo është pjesë e përgjegjësisë së organizimit të ndeshjes.
Rilindja ka bërë të ditur gjithashtu se ka ndërmarrë hapa institucionalë dhe ligjorë lidhur me pretendimet e Arbërisë, duke paralajmëruar veprime për, siç ka thënë klubi, “shpifje, deklarime të rreme dhe cenim të reputacionit”.
Për sqarimin e plotë të rrethanave KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjeve zyrtare.