Protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e 98-të, ndërsa qytetarët pritet të mblidhen sërish në Tiranë për të vijuar aksionin e tyre dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Qëndresa e përditshme po i afrohet një tjetër momenti të rëndësishëm. Të hënën mbushen 100 ditë nga nisja e protestave, ndërsa nga sheshi është paralajmëruar një mobilizim masiv, me thirrje drejtuar qytetarëve nga e gjithë Shqipëria për t’iu bashkuar protestës në kryeqytet.
Dita e 97-të e protestës u shoqërua me disa zhvillime të rëndësishme. Protesta e së premtes nisi që në paradite përpara Gjykatës Penale, ku qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në mbështetje të protestuesve të arrestuar pas tensioneve të 1 shtatorit përpara Kryeministrisë.
Gjykata vendosi lirimin e 14 protestuesve të arrestuar, vendim që u prit nga aktivistët si një fitore e qëndresës së tyre.
Protestuesit deklaruan se arrestimet dhe ndalimet nuk do ta ndalin aksionin dhe se protesta do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Në mbrëmje, qytetarët u mblodhën sërish në sheshin ‘Skënderbej’ dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.
‘Rama jep dorëheqjen’ dhe ‘Arrestoni Ramën’ ishin ndër thirrjet e protestuesve gjatë marshimit, ndërsa në duar u panë pankarta me mesazhe kundër qeverisë dhe në mbështetje të protestuesve të arrestuar.
Pas fjalimeve përpara Kryeministrisë, protesta nuk u mbyll aty. Qytetarët vijuan marshimin përgjatë bulevardit dhe rrugëve të Tiranës, duke përsëritur kërkesën për largimin e Edi Ramës dhe duke paralajmëruar se aksioni do të vazhdojë.
Në qendër të fjalimeve dhe thirrjeve të protestuesve ishte protesta e së hënës.
Aktivistët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në ditën e 100-të të protestave, ndërsa është paralajmëruar edhe rrethimi i Kryeministrisë.
Krahas dorëheqjes së Edi Ramës, protestuesit kërkojnë largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.
Aksioni opozitar dhe qytetar pritet të vijojë edhe përpara Parlamentit, me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Kuvendi rikthehet të martën, më 8 shtator, vetëm një ditë pas protestës së 100-të, duke paralajmëruar një fillim jave me tension të lartë politik.
Ndërsa protesta hyn në ditën e 98-të, mobilizimi i paralajmëruar për të hënën pritet të jetë testi i radhës për lëvizjen qytetare që prej afro 100 ditësh kërkon largimin e qeverisë Rama.
© SYRI.net