Kryeministri Edi Rama duket se po i jep një tjetër kuptim premtimit të tij të përsëritur për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pas remtimeve elektorale vetëm një vit më pare se shqiptarët do të bëheshin me pasaportë Europiane, Rama tashmë flet për një tjetër formulë: hyrje “gradualisht” në strukturat europiane, pa pritur anëtarësimin e plotë dhe pa pasur menjëherë të drejtën e vetos.
Nga Forumi i Cernobbios në Itali, Rama deklaroi se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund të bëhen pjesë e tregut të përbashkët, universiteteve, shkëmbimeve dhe programeve europiane, përpara se të marrin të gjitha të drejtat që burojnë nga anëtarësimi i plotë.
“Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda dhe për ta nisur nga pjesa reale: tregu i përbashkët, të qenit pjesë e Europës së universiteteve, shkëmbimeve, të të gjithë elementëve shumë të rëndësishëm, para se të mendojmë për pjesën tjetër”, tha Rama.
Por deklarata e kryeministrit nuk është thjesht një qëndrim i shprehur rastësisht në një forum ndërkombëtar. Ajo përputhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me një propozim që Rama e ka bërë bashkë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Në mars të këtij viti, Rama dhe Vuçiç publikuan një tekst të përbashkët ku kërkonin një rrugë të përshpejtuar dhe graduale drejt Bashkimit Europian. Propozimi i tyre parashikonte integrimin gradual në tregun e përbashkët dhe në hapësirën Schengen, por pa të drejtën e vetos, pa komisionerë europianë nga këto vende dhe pa përfaqësim me të drejtë vote në Parlamentin Europian.
Pra, Rama nuk po del sot me një ide të re. Ai po përsërit një formulë që e ka vendosur në të njëjtën tryezë me Vuçiçin dhe që, në thelb, parashikon një Shqipëri të integruar pjesërisht në BE, por jo me të drejtat e plota të një shteti anëtar.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja që Rama duhet t’ua shpjegojë shqiptarëve: çfarë ndodhi me premtimin për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian?
Sepse për vite me radhë qytetarëve shqiptarë u është thënë se objektivi është anëtarësimi në BE. Tashmë kryeministri flet për të hyrë “brenda” fillimisht përmes tregut të përbashkët, universiteteve dhe programeve europiane, ndërsa të drejtat e plota shtyhen për një fazë të mëvonshme.
Madje Rama shkon edhe më tej kur thotë se nuk beson se vendet e BE-së do të jenë të gatshme që Shqipëria të pranohet si anëtare me të gjitha kompetencat, përfshirë veton.
“Nuk besoj se 2027-a do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Nuk besoj se disa kryeqytete do të kenë aftësinë t’i thonë publikut: ‘Do ta marrim Shqipërinë me kompetencën e vetos’. Nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës”, deklaroi Rama.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Mali i Zi, vendi që thuajse është në finisht të anëtarësimit, akuzoi Ramën dhe Vuçiçin për përpjekje destabilizimi për të penguar anëtarësimin. Deklaratat e Ramës sot ku i përmend të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në bllok, le të kuptohet se pretendimet e presidentit të Malit të Zi nuk kanë qenë rastësore.
© SYRI.net