Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës janë mbledhur sërish sot në sallën plenare të Kuvendit, ku drejtuan akuza të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e cilësuar shtyrjen e seancës konstituive si shkelje të Kushtetutës.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se me shtyrjen e seancës po shkelen jo vetëm afatet dhe obligimet që burojnë nga rendi kushtetues, por edhe afati i interpretuar më herët nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Prandaj nga këtu sot, dua ta them qartë: Partia Demokratike e Kosovës nuk do të pranojë që të bartet shkelja e Kushtetutës, nuk do të pranojë që shkelja e Kushtetutës të bëhet praktikë, nuk do të pranojë që vendimet e gjykatave të shndërrohen në çështje të vullnetit politik. Nuk do të pranojë që një kryeministër, kushdo qoftë ai, të mund të vendosë cili institucion funksionon dhe cili jo, sepse demokracia nuk shkatërrohet brenda një dite, ajo gërryhet hap pas hapi. Sot nuk respektohet një afat, nesër nuk me zbatimin e vendimit, pasnesër shpërfillen gjykatat, pastaj bllokohet një institucion. Dhe në fund, qytetarëve u thuhet se të gjitha këto janë normale. Jo, nuk janë normale dhe ne nuk do t'i pranojmë si normale”, ka deklaruar Hamza.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka renditur tri dimensione përmes të cilave, Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur Kushtetutën.
Sipas Ramadanit, bëhet fjalë për shkeljen e frymës së Kushtetutës, mosrespektimin e interpretimit dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe shkeljen e obligimeve kombëtare, morale e shtetërore për t’i dhënë Kosovës institucionet.
Ndërkaq, kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari mëe 5 shtator ka njoftuar se e ka thirrur vazhdimin e seancës për datën 9 shtator nga ora 11:00.