Kusari-Lila: Gjashtë deputetët e LDK-së e kanë problemin me Kurtin, jo me kandidatin për president
Intervista
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Kusari-Lila: Gjashtë deputetët e LDK-së e kanë problemin me Kurtin, jo me kandidatin për president
mimoza
05/09/2026 - 14:19
Linku u kopjua

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se kundërshtimi i gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të Kosovës nuk lidhet me figurën e tij, por me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, Kusari-Lila tha se Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi do të kundërshtonin marrëveshjen me LVV-në edhe nëse kandidat për president do të ishte një figurë tjetër konsensuale.

“Reagimet e këtyre gjashtë deputetëve, për mosmbështetje të zotit Bekim Sejdiut, nuk lidheshin fare me emrin e Bekim Sejdiut. Profesori Bekim Sejdiu, nuk u diskutua si person i joadekuat nga ana e tyre për t'u mbështetur për president...  Të tjerët problemin e kanë pasur me Albin Kurtin. Do të thotë me kryeministrin Kurti. Dhe në atë situatë, unë këtu e shoh esencën e problemit. Kushdo që do të ishte kandidat tjetër, në vend të zotit Bekim Sejdiu, ata qasjen e njëjtë e kanë, pasi nuk po deklarohen se problemin e kanë me kandidatin, por problemin po e tregojnë që e kanë me kryeministrin Kurti. E kryeministri Kurti nuk është rastësisht në pozitën ku është. Nuk është një vendim i gjashtë deputetëve ose sado që mund të jenë të tjerë që e rrëzon kryeministrin Kurti. Ata po e shohin me vetëdije që zgjedhje pas zgjedhje, kryeministri Kurti, Lëvizja Vetëvendosje me partnerë po i fiton zgjedhjet. Dhe në situatën kur po ndodh një rrethanë e tillë ku deklarohet se inati është me të, mbështetja në popull po rritet”, tha ajo.

Duke folur për marrëveshjen politike dhe raportet me LDK-në, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tha se marrëveshja ekzistuese për emrin e Bekim Sejdiut për president është valide, ndërsa shprehu dëshirën që edhe gjashtë deputetët e LDK-së ta mbështesin atë.

Ajo përmendi edhe raste të mëhershme kur deputetë të LDK-së, kanë mbështetur kandidatë për presidentë që nuk kanë qenë pjesë e subjektit të tyre politik.

E pyetur nëse do të zbatohen kërkesat e Aleancës, ku mes tyre është edhe gazi amerikan si parakusht për mbështetje për presidentin, ajo u shpreh skeptike për një gjë të tillë.

Sipas saj, nuk është e arsyeshme që një subjekt me shtatë deputetë të kërkojë nga partia e parë zbatimin e projekteve të mëdha kapitale.

Në anën tjetër, kryetarja e Alternativës tregoi arsyet pse po zvarritet konstituimi i Kuvendit, derisa shtoi se nuk e konsideron situatën si anarki, por si kohë të nevojshme për arritjen e një vendimmarrjeje që do t’i mundësonte vendit krijimin e institucioneve.

E pyetur nëse ka qenë strategji e tyre zvarritja e konstituimit që zgjedhjet e ardhshme të mbahen në dhjetor, ajo tha se fokus i tyre është shmangia e zgjedhjeve.

Kusari-Lila foli edhe për pretendimet nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mund të jetë në dijeni për përmbajtjen e aktgjykimit të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së.

Ajo e mohoi një mundësi të tillë, duke thënë se as Kurti dhe askush tjetër në Kosovë apo jashtë saj nuk mund ta dijë përmbajtjen e aktgjykimit para shpalljes zyrtare.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026