Dy vatra zjarri janë shfaqur mesditën e sotme në territorin e Kukësit.
Një prej vatrave është aktivizuar në Kodrën e Pecës, në fshatin Përbreg, pak kilometra larg qytetit të Kukësit. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë në zonë dhe, sipas të dhënave paraprake, zjarri është vënë nën kontroll.
Vatra tjetër është shfaqur në fshatin Zapod, në një zonë të thellë malore. Situata paraqitet më problematike për shkak të erës, e cila favorizon përhapjen e flakëve.
Në ndihmë të forcave zjarrfikëse kanë dalë edhe banorët e fshatit, të cilët po kontribuojnë në përpjekjet për izolimin e vatrës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.














