Gazetari Artan Hoxha ka hedhur akuza të forta lidhur me arrestimin e Ergys Agasit, duke pretenduar se pas ndalimit të tij qëndrojnë vendimmarrje nga nivele të larta të politikës.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Hoxha u shpreh se Agasit iu hoq ajo që ai e cilësoi si “imunitet” dhe më pas u la i ekspozuar ndaj arrestimit.
Sipas Hoxhës, arrestimi i Agasit nuk duhet parë thjesht si një çështje e drejtësisë, por si një zhvillim me pasoja politike. Ai pretendon se Agasi kishte pasur një rol dhe ndikim të rëndësishëm pranë niveleve të larta të pushtetit.
“Agasi nuk ishte problem për botën e nëndheshme të krimit, por për pushtetin. Agasi nuk ka dokumentuar çfarë kanë bërë grupet kriminale, por çfarë ka bërë pushteti me ata poshtë”, u shpreh Hoxha.
Më tej, gazetari pretendoi se vendimi për arrestimin e Agasit lidhet me nevojën për të shmangur mundësinë që ai të flasë për marrëdhëniet dhe funksionimin e pushtetit.
“Agasi është arrestuar për t’iu mbyllur goja”, deklaroi Hoxha, duke shtuar se me të brenda në burg, sipas tij, “s’flet më njeri”.
Hoxha ngriti gjithashtu pretendime se Rama ia kishte deleguar Agasit pushtetin dhe po ai ja shkriu.
“Ai ishte pas kryeministrit, jo banditit. Ai vinte nga një familje intelektuale. Kush ia delegoi këtë pushtet? Kryeministri. Kush ia shkriu imunitetin? Kryeministri”,- tha gazetari ndër të tjera.














