Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Levanit në Fier, duke shkaktuar panik te banorët dhe duke rrezikuar banesa e biznese. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka publikuar pamje nga terreni, që tregojnë situatën e krijuar mbrëmjen e 4 shtatorit.
Në fotografitë e publikuara shihen banesa të shkrumbuara nga flakët, tym dhe banorë me lot në sy.
Flakët u raportuan fillimisht në zonën e Qafës së Koshovicës, pranë Radostinës, dhe më pas u përhapën në drejtim të Levanit, duke përfshirë sipërfaqe me ullishte, shkurre, banesa dhe zona pyjore.
Zjarri përfshiu edhe një banesë të pabanuar dhe një stallë bagëtish, ku ndodheshin rreth 20 lopë. Kafshët u nxorën në kohë nga zona e rrezikut.
Situata u përkeqësua teksa flakët iu afruan banesave dhe bizneseve pranë Qafës së Koshovicës, ku dhjetëra familje u evakuuan.
Ndërkohë, tre persona u paraqitën për ndihmë mjekësore për shkak të asfiksisë nga tymi.
Pamjet e Reuters pasqyrojnë përmasat e zjarrit dhe situatën e vështirë të krijuar për banorët e zonës, ndërsa vijojnë përpjekjet për neutralizimin e vatrave të zjarrit.





















